TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Qershor 2024, 10:23

Mandati i Olta Xhaçkës/ Kushtetuesja shqyrton padinë e PD-së, Bardhi-gjyqtarëve: Rama ju sfidoi!

Shkruar nga Pamfleti

Mandati i Olta Xhaçkës/ Kushtetuesja shqyrton padinë e

Gjykata Kushtetuese po shqyrton ditën e sotme padinë e Partisë Demokratike për mandatin e Olta Xhaçkës.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, para trupës gjykuese sqaroi arsyet se përse u vendos ndjekja e kësaj çështjeje, ndërsa shtoi se Kuvendi me mos zbatimin e vendimit të parë, sfidoi Gjykatën Kushtetuese.

Më tej ai iu drejtua gjyqtarëve të Kushtetueses se ata u sfiduan të gjithë nga kryeministri Edi Rama.

“Rreth dy vite më parë grupi ynë depozitoi në Kuvend kërkesë për të shqyrtuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës.
Pas zvarritjes, për herë të parë një vendim i marrë nga GJK është sfiduar nga Kuvendi përmes shpalljes së vetes sovran ndaj vendimeve të GJK.
Mandati i Xhaçkës tashmë edhe pak edhe mbaron vetë. Ishim të dyzuar nesë duhet të vinim në GJK apo t’i lëmë turpin e kësaj çështjeje mazhorancës. Vendosëm që duhet të vinim sepse sfida ndaj autoritetit e dinjitetit të GJK është çështje e çdo ligjvënësi që është betuar mbi Kushtetutë”, tha Bardhi.

Kuvendi i Shqipërisë vendosi më 11 prill që të rrëzojë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të çuar në këtë gjykatë interpretimin e mandatit të saj.

Më datën 24 prill 2024 një grup prej 44 deputetësh të kuvendit iu drejtuan gjykatës për të kundërshtuar vendimi nr. 41/2024, datë 11.04.2024 i Kuvendit të Shqipërisë “Për mosdërgimin e Mocionit në Gjykatën Kushtetuese” dhe deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të këtij vendimi.

Gjithashtu, kërkohet zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve, duke përcaktuar mënyrën kushtetuese konkrete sesi zgjidhet ky konflikt dhe sesi ushtrohet e drejta kushtetuese e pakicës parlamentare (një të dhjetës së deputetëve) për të mos u penguar mocioni i tyre nga Kuvendi në kushtet e mosverifikimit të pengesave formale, në kushtet ku mazhoranca me votim ka vendosur moszbatimin e vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo mund të ripërsëritet në të ardhmen.

Më 14 maj kolegji i Gjykatës vendosi kalimin e cështjes për shqyrtim në seancë plenare.

Xhaçka këmbëngul se nuk është në konflikt interesi dhe se nuk kishte përfituar asnjë centimer tokë shtetërore dhe asnjë lloj përfitimi tjetër publik. Sipas saj, i vetmi përfitim nga ky status lidhej me kompaninë që në një të ardhme do të menaxhojë aktivitetin për sipërfaqen e plazhit para hotelit.

Në janar të vitit 2023, Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj gjykate dhe i kërkoi Kuvendit që të vendosë për të kundërtën.

Kushtetuta parashikon që asnjë deputet nuk mund të përfitojë të mira publike dhe se ai humbet mandatin në momentin që Gjykata Kushtetuese del në këtë përfundim. Pas vendimit të Parlamenti, opozita e çoi sërish në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Xhaçkës.

gjykata kushtetuese olta xhaçka mandati

Lini një Përgjigje