Monika Kryemadhi ka reaguar për herë të parë pas kërkesës për divorc nga Ilir Meta.
Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratës së djeshme të Ilir Metës, i cili deklaroi se është në proces divorci me bashkëshorten e tij.
E pyetur nga Zëri i Amerikës për këtë vendim të Metës, Kryemadhi është shprehur se do të flasë në një moment të dytë, kur të mësojë arsyet e vërteta që çuan ish-bashkëshortin e saj drejt kësaj rruge.
Kërkesa për divorc u depozitua ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës.
Monika Kryemadhi është tashmë ish-bashkëshortja ime dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta”, tha dje Ilir Meta.
Kjo deklaratë e presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, cila solli mjaft reagime dhe aludime, pasi ky vendim vjen pas hetimeve që Prokuroria e Posaçme po kryen ndaj Metës dhe Kryemadhit, të cilët janë nën hetim pasuror.
Ka qenë vetë Ilir Meta ai i cili e ka marrë i pari hapin për divorc, referuara edhe dokumentit të procesit të divorcit.
Por, ndonëse në opinionin publik është hedhur ideja se çifti prej disa muajsh nuk jetojnë më me njëri-tjetrin, kjo kërkesë për divorc duket se nuk ka qenë e mirëpritur nga të dy.
Kujtojmë se prej disa muajsh, kreu i PL-së Ilir Met nuk jeton në shtëpinë e familjes. Edhe në kërkesën për divorc, që mban datën 20 qershor, ai ka paraqitur si adresë personale, atë të Partisë së Lirisë. Tronditja e marrëdhënieve mes tyre u tregua dhe publikisht, kur riformatimi i strukturave drejtuese të Partisë së Lirisë, la jashtë tyre zonjën Kryemadhi.
Të dy shkëmbyen dhe polemika gjatë mbledhjeve të forumeve drejtuese të Partisë.
Meta nuk dha asnjë shpjegim për arsyet e kërkesës për divorc, por la të kuptohej qartë se për të kishte qenë i papranueshëm qëndrimi i zonjës Kryemadhi ndaj Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në një kohë që ajo “ishte në dijeni të gjithë veprimtarisë së SPAK-ut kundër bashkëshortit e të gjithë përpjekjeve për të shantazhuar persona të ndryshëm kundër Metës”, deklaroi ai duke shtuar se “Monika është më afër me SPAK-un se sa me mua. Por SPAK-u nuk e merr dot peng Ilir Metën, as përmes bashkëshortes, as përmes askujt tjetër”.
Javën e kaluar Meta qëndroi për më shumë se tre orë përballë hetuesve në Prokurorinë e Posaçme. Ndërsa nuk u bë e qartë se për cilin hetim ai ishte thirrur, në deklarimet e tij të mëpasshme, Meta la të kuptohej se ishte pyetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes së tij.
Ndaj tij dhe Kryemadhit po kryhet dhe një hetim pasuror. Ish presidenti deklaroi se ai nuk është marrë asnjëherë me çështje pronash apo financash, për të cilat ai ia la përgjegjësinë bashkëshortes Monika Kryemadhi. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe gjatë emisionit të së enjtes, duke përsëritur po ashtu akuzat ndaj Prokurorisë së Posaçme. Ndërkohë, që në deklarimet e saj, pas marrjes në pyetje po në Prokurorinë e Posaçme, Kryemadhi ka qenë tejet e matur duke u shprehur se “prokurorët po bëjnë punën e tyre”.
Lini një Përgjigje