Të gjithë hajdutët po bëhen bashkë kundër “bishës” që po i lë pa gjumë...
Drejtësia është zyrtarisht në luftë të hapur me politikën. Javët e fundit presioni ndaj Prokurorisë së Posaçme ka qenë i jashtëzakonshëm, pasi Rama dhe Berisha janë bërë bashkë duke sulmuar prokurorët dhe gjyqtarët.
Mirëpo sot u dha shembulli i parë se sulmi i tyre po inkurajon gjithë të tjerët që të nisin revoltën kundër organit të akuzës. Prokuroria e Posaçme zhvilloi një aksion tek Universiteti Bujqësor i Tiranës, duke vënë nën akuzë 24 persona. Sipas SPAK, këta individë janë të përfshirë në afera me tenderët.
Por edhe pse bëhet fjalë për një Universitet Publik, pati një reagim mjaft të habitshëm nga kryeministri i vendit, duke treguar skepticizëm mbi këtë lëvizje të Prokurorisë së Posaçme. Kulmi arriti kur kryeministri njoftoi se nesër do të dalë para grupit parlamentar të PS Rektori i Universitetit, pasi sipas tij, e vërteta nuk është ashtu siç pretendon SPAK.
Së pari prania e rektorit në grupin e PS është skandaloze. PS nuk përfaqëson asgjë. Ai është zgjedhur me votë dhe universiteti është autonom, nuk ka asnjë lidhje me politikën.
Elementi i dytë është se Rama reagoi pa pritur njoftimin e SPAK dhe ka mashtruar në reagimin e tij.
Ja se çfarë deklaronte Rama: “Nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë në shumën totale më pak se 30 milionë lekë! Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht...”
Por çfarë deklaron SPAK-u: “Nga hetimet proaktive me metoda speciale si; përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit të procedurave të prokurimit, me autoritet kontraktor Universiteti Bujqësor i Tiranës, deri në këtë fazë të hetimit janë hetuar në kuadër të këtij procedimi nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 (nëntëdhjetë milion) lekë”.
Pra nuk bëhet fjalë për 30 mln lekë sikundër pretendon kryeministri, por janë tre fish, pra 90 mln lekë. Po ashtu kryeministri këmbëngul se ata janë në masë sigurie pa gjyq. Pse nuk reagoi kryeministri për Ben Ahmetajn, për Sali Berishën, për Ilir Metën, Lefter Kokën, Alqi Bllakon, e shumë njerëz të tjerë nga radhët e tij që kanë rënë në pranga apo janë në masë sigurie?
Rektori nesër me shumë gjasë do të sulmojë apo do të dalë kundër SPAK dhe do dëshmojë se tani kemi një revoltë institucionale kundër organit të akuzës. Me fjalë të thjeshta, të gjithë hajdutët po bëhen bashkë kundër “bishës” që po i lë pa gjumë.
Po ashtu, sot Rama kërcënoi disa herë SPAK, duke ju dërguar mesazh të koduar se ata nuk e kanë më mbështetjen amerikane. Pse gjithë ky mllef i kryeministrit? Çfarë fshihet pas kësaj revolte?
Arrestimi i Veliajt u përdor si sebep për të nisur luftën, pasi dyshimet janë se ka diçka tjetër. Tani Rama nuk e përmend më Veliajn dhe rastin e tij po e përdor për kërcënime e shantazhe.
Mos vallë SPAK ka diçka tjetër më të madhe në duar? Mos i është afruar kryeministrit apo dikujt tjetër pranë tij? Pse Rama i kërcënoi prokurorët që të mos ta mendojnë t’i marrin telefonin dhe a është e vërtetë se ata kanë kërkuar ta marrin në pyetje muaj më parë? Këto janë disa nga dilemat, teksa duhet të presim dhe të shohim se kush do të fitojë: SPAK apo politika. /Pamfleti
Lini një Përgjigje