TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Shkurt 2025, 19:26

“Luftë” në opozitë për vende të sigurta në lista, Metës dhe Mediut ju shtohet oreksi; ankth te grupi i Bardhit

Shkruar nga Pamfleti

 

“Luftë” në opozitë për vende të sigurta
Meta-Berisha-Mediu

Negociatat në opozitë, aleatët rrezikojnë vendet e demokratëve...

Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk po gjejnë ende gjuhën e përbashkët për listat e kandidatëve.

Këtë vit do të ketë dy lista, një e hapur dhe një e mbyllur dhe kjo ka vështirësuar negociatat mes palëve. Në ditën e fundit të regjistrimit të partive, në PD kanë shkuar aleatët për të negociuar mbi vendet që do të marrin në lista.

Sali Berisha vendosi të mos ngatërrohet me këtë proces dhe ja ka deleguar Flamur Nokës negociatat, i cili priti sot Fatmir Mediun, Agron Dukën, Vangjel Dulen si dhe Tedi Blushin me Edmond Haxhinaston nga PL.

Deri më tani, i vetmi që duket se është i kënaqur është Agron Duka, pasi palët janë drejt marrëveshjes që të ketë një kandidat për deputet në listë të sigurt në Durrës dhe në 10 qarqe të ketë nga një kandidat në listë të hapur.

Por duket se më të pakënaqurit në këtë mes janë Ilir Meta dhe Fatmir Mediu. Kreu i PR ka përfituar gjithmonë në kurriz të PD dhe sipas informacioneve, Berisha është gati t’i ofrojë atij një vend në listë të mbyllur në Tiranë. Por Mediu nuk ka rënë dakord dhe kërkon më shumë emra, gjë që nuk pranohet nga PD, e cila është gati të bëjë lëshime të listat e hapura, pasi tek e mbyllura numrat janë të kufizuar.

Po ashtu nuk ka ende dakordësi me PL-në e Ilir Metës. Nën rrogoz flitet se PL kërkon nga 6 apo 7 deri në 10 emra në vende të sigurta, gjë që nuk pranohet nga PD. Po ashtu po negociohet dhe se si do të futet Ilir Meta. Ky i fundit ka deklaruar se do jetë në listë të hapur në Tiranë, por sërish nuk ka asgjë konkrete.

Ajo që ka vënë në vështirësi Berishën është fakti se kërkesat e shumta të aleatëve mund të lënë jashtë shumë emra të rëndësishëm në radhët e PD. Ka pasur shumë nga ata që kanë deklaruar hapur se nuk janë dakord që PL të jetë në një listë të përbashkët me PD. Dhe ata që rrezikojnë më shumë janë besnikët e Bardhit.

Në negociatat e sotme u pa qartë se Berisha u ka frenuar hovin e aleatëve dhe shumica nuk janë të kënaqur. Por pasi të arrihet pakti, me gjasë do të kemi shumë emra në PD që nuk do jenë të kënaqur, pasi do e gjejnë veten nga fundi. Si PR ashtu dhe PL duan shumë kandidatë të sigurt në Tiranë, ndërkohë që lista e mbyllur në kryeqytet shkon deri tek afro 12 deputetë. Pra Berisha është para një dileme të madhe, të favorizojë aleatët apo të vetët. /Pamfleti

Lini një Përgjigje