TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Maj 2026, 21:24

“Shuplakë për BE-në dhe grusht për Ramën”, Sejamini: Raporti i IBAR nxorri hapur problemet e qeverisë

Shkruar nga Pamfleti

“Shuplakë për BE-në dhe grusht për Ramën”,

Gazetari Neritan Sejamini ka komentuar raportin e IBAR-it. Ai e ka cilësuar si një nga raportet më kritike të viteve të fundit për Shqipërinë.

Sipas Sejaminit, raporti final i Bashkimit Europian është shumë larg triumfalizmit politik dhe duhet parë si një alarm serioz për problemet që ka vendi në rrugën drejt integrimit europian.

“Raporti që paraqiti komisioni u transformua krejtësisht dhe raporti final që ka nxjerrë Bashkimi Europian duke miratuar çfarë është arritur duke vënë objektivat përfundimtare. Është një raport i cili nuk mund të jetë as krenari, por do të jetë një shqetësim i madh për Shqipërinë dhe një raport i cili tregon që perspektiva europiane e Shqipërisë sot është më larg se ç’ishte para ca muajsh ose të paktën ne sot e kuptojmë që jemi shumë më larg", tha Sejamini.

Ai theksoi se raporti evidenton probleme serioze në funksionimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

“Është një raport i cili nxjerr problemet e mëdha që ka demokracia shqiptare, problemet e mëdha që ka shteti së drejtës, problemet e mëdha me korrupsionin, problemet e mëdha me pandëshkueshmërinë e politikanëve, probleme të mëdha me zgjedhjet, probleme të mëdha me menaxhimin e pronës dhe me pronën, probleme të mëdha që ne kemi me një sërë sektorësh të tjerë, me lirinë e mediave që kemi me të drejtat e minoriteteve e tjerë e tjerë”, u shpreh ai.

Ai deklaroi se ky është një nga raportet më të ashpra të hartuara për Shqipërinë në dekadat e fundit.

“Pra, po të shikosh është raporti ndoshta më i rëndë që është bërë për Shqipërinë po themi në 10 vitet e fundit, dy dekadat e fundit. Është një raport tmerrësisht kritik i cili është një shuplakë për Komisionin Evropian dhe një grusht për qeverinë shqiptare”, shtoi ai.

Gazetari u ndal edhe te mesazhi kryesor që, sipas tij, Bashkimi Europian po i jep Shqipërisë: ligjet në letër nuk mjaftojnë pa zbatim konkret dhe rezultate reale.

“Raporti ka treguar që nuk mund të matet gatishmëria e një vendi dhe përgatitja e një vendi për t’u bërë vend anëtar në Bashkimin Europian vetëm duke numëruar ligjet në letër. Që në krye të raportit të Bashkimit Europian thuhet ligjet në letër nuk mjaftojnë. Zbatimi në praktikë me rezultate konkrete dhe në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme”, theksoi Sejamini.

Në vijim, Sejamini theksoi se raporti vendos për herë të parë objektiva të qarta për Shqipërinë.

“Zbatimi i plotë në praktikë me rezultate konkrete dhe të qëndrueshme është kyç për mbylljen e negociatave, mbylljen e këtyre kapitujve dhe kjo gjë që thuhet që fillim dokumentit, pastaj gjithë dokumenti është çfarë do të bëjë Shqipëria dhe për herë të parë ke objektiva të sakta”, shtoi gazetari.

Në fund, ai deklaroi se procesi i integrimit nuk mund të ecë përpara me propagandë apo vetëm me ndryshime ligjore formale.

“Ai raport thotë një gjë në Evropë nuk iket po mos u solle si evropian nuk ik me batuta, nuk iket me propagandë, nuk iket me ligj në raport këtu që nuk iket më duhet të iket vetëm duke zbatuar gjërat në praktikë”, përfundoi Sejamini për "A2 CNN".

gazetari neritan sejamini ibar raporti rama

Lini një Përgjigje