
Kryeministri Rama u shpreh se negociatat do të mbyllen në vitin 2027. Sipas tij, këtë nuk e thotë ai, por BE. Teksa përmendi një deklaratë të ish-kryenegociatorit të Shqipërisë në BE Zef Mazi se mbyllja e negociatave në vitin 2027 është një iluzion, Rama tha se këtë periudhë e kanë me plan dhe kalendar në tryezë.
"Nuk e them unë se në 2027 do të mbyllim negociatat. Zef Mazi është miku im, njeriu që ka qenë kryenegociator në fazën e parë por ka kohë që ka dalë informacion dhe nuk ka ndoshta updetuar informacionin. Këtë e kemi në tryezë me plan dhe kalendar.
Nuk ka asnjë por. Në tryezë me BE ne kemi kalendarin dhe plani i dakordësuar me ata është që ky është kalendari, ja kjo është rruga për të mbyllur negociatat brenda 2027. Nuk e kanë thënë kurrë këtë gjë më përpara. Nuk është hapur dera më përpara", tha Rama.
Rama tha gjithashtu se BE unanimisht jo vetëm që nuk e refuzon më idenë e zgjerimit por edhe e mbështet. Teksa analisti Arjon Sulo i përmendi Malin e Zi, kryesocialisti tha se vendi fqinj i ka nisur prej vitesh negociatat dhe ende nuk i ka mbyllur, ndërkohë që Shqipëria në kaq pak kohë ka bërë përparim të madh.
"Nuk është hapur dera për Shqipërinë asnjëherë më përpara sot është hapur. Ta shpjegoj edhe Malin e Zi. Dera nuk ka qenë e hapur më përpara. Këtë muhabet mund ta bësh ti, Zefi e kushdo tjetër përpara kësaj faze. Mund të thoshin ore shiko ju këtë thoni, ata këtë thonë por ndërkohë ja ku janë negociatat. Sot jemi në kushte të tjera. Kushtet e reja janë këto. E para BE unanimisht jo vetëm nuk e refuzon më idenë e zgjerimit por edhe e mbështet", u shpreh Rama për “Report Tv”.
Lini një Përgjigje