
Ditën e sotme në Shkup të Maqedonisë së Veriut do të mbahet Samiti i Krerëve të Shteteve në Procesin e Brdo Brijunitë ku pjesëmarrëse do të jetë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti Bajram Begaj.
Ky takim organizohet nga tri vende: Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Kroacia.
Aty liderët pritet që ta miratojnë një deklaratë të përbashkët, me anë të së cilës do të evidentohen sfidat dhe prioritetet rajonale, fokusuar edhe në integrimin vendeve të ballkanit në BE.
Vendet pjesëmarrëse janë edhe: Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi.
Samiti i Brdo-Brijunit është një organizim shumëpalësh vjetor në Ballkanin Perëndimor, e iniciuar në vitin 2013 nga presidenti slloven Borut Pahor dhe ai kroat Ivo Josipoviç.
“Në fokus të takimit të sivjetshëm të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni në Shkup janë integrimi evropian, ndryshimet klimatike dhe emigracioni i të rinjve”, thuhet në komunikatën e Presidencës maqedonase.
Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Borut Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.
Qëllim i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.
Presidenti Pendarovski, të dielën, ka organizuar një darkë për presidentët e shteteve pjesëmarrëse me përjashtim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili pjesëmarrjen e ka paralajmëruar për të hënën, ditën e mbajtjes së samitit.
Udhëheqësit e shteteve të procesit Bërdo-Brioni takohen të paktën një herë në vit.
Në samitin e vitit të kaluar, që u mbajt në Bërdo të Sllovenisë, pjesë e konkluzioneve të miratuara ishte thirrja drejtuar Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.
Vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2024, ndërsa Bosnje-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar.

Lini një Përgjigje