Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka reaguar ashpër lidhur me vendimin për shkrirjen e Kadastrës së Vlorës dhe traferimin e saj në Tiranë.
Zhupa e ka cilësuar këtë vendim, arbitrar dhe antikushtetues. Deputetja bën thirrje për shfuqizim të menjëhershëm të këtij vendimi, i cili sipas saj cënon parimet e decentralizimit dhe detyron punonjësit të heqin dorë nga marrëdhëniet e punës.
Zhupas thekson se drejtuesit që kanë firmosur duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.
"Mbyllja e Zyrës së Kadastrës në Vlorë dhe transferimi i saj në Tiranë është një vendim arbitrar, i paligjshëm dhe thellësisht antikushtetues. Një akt i pabazuar në ligj që shkel çdo parim të funksionimit të administratës publike. Kjo mbyllje e menjëhershme synon centralizimin abuziv të shërbimeve, duke krijuar terren për korrupsion, vonesa të qëllimshme dhe pengesa artificiale për qytetarët e Vlorës.
Ky vendim:
largon shërbimet nga qytetarët
cënon parimin e dekoncentrimit dhe decentralizimit
dëmton rëndë aksesin në informacion
detyron punonjësit të dorëzojnë marrëdhëniet e punës për shkak se nuk do udhëtojnë çdo ditë nga Vlora në Tiranë dhe anasjelltas.
Ligji nr. 90/2012 e thotë qartë: shërbimet publike duhet të jenë pranë qytetarëve, jo të mbyllen me urdhra okulte nga Tirana.
Ky akt përbën një precedent të rrezikshëm dhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve të Vlorës. Ai duhet të shfuqizohet menjëherë, ndërsa firmëtarët duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe administrative për këtë vendim të paligjshëm dhe të dëmshëm.
Shërbimet publike nuk janë pronë private e askujt. Ato janë detyrim kushtetues ndaj qytetarëve", shkruan Zhupa.
Lini një Përgjigje