Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka komentuar vendimin e GJKKO, lidhur me përplasjen e tij ligjore me deputetin Agron Shehaj.
I ftuar në emisioni ‘Kafe Shqeto’, përmes një lidhje videoje, Lapaj shprehet se lajmi kryesor është se një deputet është dënuar penalisht, pavarësisht interpretimeve publike që mund t'i bëhen çështjes.
Lapaj sqaroi se gjykata dhe prokuroria konstatuan se asnjë nga pretendimet e ngritura nga deputeti Shehaj nuk u vërtetua. Megjithatë, ai shpjegoi se për shkak të statusit të veçantë që gëzojnë deputetët lidhur me lirinë e shprehjes, gjykata nuk e dënoi atë për shpifje, por për fyerje, pasi u vërtetua cenimi i nderit dhe dinjitetit personal të avokatit.
I pyetur nga gazetari mbi videot e publikuara nga Shehaj, ku ky i fundit dyfishon akuzat duke pretenduar se Lapaj financohet nga paratë e krimit, avokati reagoi ashpër duke mbrojtur profesionin e tij. Ai theksoi se roli i avokatit është të përfaqësojë këdo që ka probleme me ligjin, duke bërë një paralelizëm me mjekët që kurojnë pacientë pa pyetur për moralin e tyre.
“Injoranca e kujtdo nuk është argument,” u shpreh Lapaj, duke shtuar se tentativa për të kriminalizuar profesionin e avokatit të kujton kohën e Enver Hoxhës, kur ky profesion u ndalua me ligj. Ai nënvizoi se detyrimi i tij i vetëm është të mos korruptojë sistemin e drejtësisë, ndërsa përzgjedhja e klientëve është çështje profesionale.
Lidhur me aktualitetin politik dhe protestën e paralajmëruar nga Partia Demokratike më datë 24, Lapaj konfirmoi se do ta respektojë atë. Ai bëri thirrje për një bashkim të madh qytetar kundër kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që qytetarët të zbresin në shesh me flamurin kombëtar dhe pa logo partiake.
Lini një Përgjigje