TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Dhjetor 2023, 18:17

Sekuestrim telefonash dhe përgjim? Meta dhe Kryemadhi në telashe, zbardhen të tjera detaje nga goditja e SPAK

Shkruar nga Pamfleti

Sekuestrim telefonash dhe përgjim? Meta dhe Kryemadhi në telashe,

Nëse shihet faqja e GJKKO, te kalendari i seancave tregohet se kërkesa e Monika Kryemadhit është bërë në bazë të nenit 222/3 të Kodit të Procedurës Penale. Neni 222 flet për përgjimin.

Zbardhen të tjera detaje nga kërkesa e Monika Kryemadhit në GJKKO. Sot në orën 13.30 pati një njoftim surprizë nga Gjykata e Posaçme, pasi Kryemadhi kishte bërë një kërkesë për heqje sekuestro. Por nuk u dha asnjë detaj nëse bëhet fjalë për prova pasuri, apo diçka tjetër.

Rezulton se është paraqitur një kërkesë me objekt heqje sekuestro. Duke qenë se këto janë kërkesa në fazën e hetimit paraprak nuk mund të jepen detaje të tjera pasi seanca është me dyer të mbyllura”, njoftoi gjykata.

Mirëpo nëse shihet faqja e GJKKO, te kalendari i seancave tregohet se kërkesa e Monika Kryemadhit është bërë në bazë të nenit 222/3 të Kodit të Procedurës Penale.

Neni 222 flet për përgjimin. Aty përcaktohen procedurat që duhet të ndjekë prokuroria për realizmin e një përgjimi ambiental ose telefonik. Në pikën 3 thuhet: “Kur njëri nga dy personat që do të përgjohen është i gatshëm të kryejë dhe të regjistrojë veprimin përkatës, sipas marrëveshjes me oficerin e policisë gjyqësore, veprimi lejohet me autorizim të prokurorit”. 

Pra duket sikur Kryemadhi dhe burri i saj kanë rënë në përgjim. Por duke qenë se Kryemadhi ka bërë kërkesë për sekuestro, sipas një burimi, agjentët e BKH mund t’i kenë sekuestruar Kryemadhit dhe Metës pajisje celulari. Duke qenë se Kryemadhi është deputete dhe nuk lejohet përgjimi, ajo ka bërë ankimim. Megjithatë nuk është ende zyrtare se çfarë është sekuestruar. E sigurt është se neni flet për përgjim.

Pavarësisht kërkesës së saj, GJKKO e ka rrëzuar duke dhënë sinjale se provat që janë mbledhur për çiftin e PL po shtohen nga dita në ditë.

Neni 222- Kodi i Procedurës Penale

Vendimi për lejimin e përgjimit

1. Me kërkesën e prokurorit, për rastet e lejuara në paragrafin 1, të nenit 221, gjykata autorizon përgjimin me vendim të arsyetuar, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur në ngarkim të personit ekziston një dyshim i arsyeshëm dhe i bazuar në prova se ka kryer një vepër penale.

2. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se nga vonesa mund t’i vijë një dëm i rëndë hetimeve dhe plotësohen kushtet e paragrafit 1, të këtij neni, prokurori vendos përgjimin me akt të motivuar dhe njofton gjykatën menjëherë, por jo më vonë se njëzet e katër orë nga marrja e vendimit. Kur vleftësimi nuk bëhet në afatin e caktuar, përgjimi nuk mund të vazhdojë dhe rezultatet e tij nuk mund të përdoren.

3. Kur njëri nga dy personat që do të përgjohen është i gatshëm të kryejë dhe të regjistrojë veprimin përkatës, sipas marrëveshjes me oficerin e policisë gjyqësore, veprimi lejohet me autorizim të prokurorit.

4. Në rastet e parashikuara në paragrafët 1, 2 dhe 3, të këtij neni, gjykata merr vendim të arsyetuar në dhomë këshillimi, brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesës së prokurorit. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për përgjim mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e apelit brenda 24 orëve. Gjykata e apelit shqyrton ankimin brenda 48 orëve nga marrja e akteve. Paraqitja e kërkesës për vleftësimin e përgjimit nuk shkakton ndërprerjen e tij.

5. Vendimi për përgjimin tregon mënyrën e kryerjes dhe kohëzgjatjen e veprimeve, e cila nuk mund t’i kalojë pesëmbëdhjetë ditët. Ky afat, me kërkesë të arsyetuar të prokurorit, mund të zgjatet nga gjykata sa herë është e nevojshme, për një periudhë prej 15 ditësh, kur ekzistojnë kushtet e parashikuara në paragrafin 1, të këtij neni, dhe rezultatet e përgjimit diktojnë nevojën e zgjatjes së afatit.

6. Në vendimin e gjykatës për përgjimin e fshehtë, fotografik ose me video, ose për përgjimin e bisedave në vende private mund të autorizohet oficeri i policisë gjyqësore ose specialisti i kualifikuar për të hyrë në këto vende, në mënyrë të fshehtë, duke vepruar në përputhje me vendimin. Ky autorizim duhet të zbatohet brenda 15 ditëve.

7. Në regjistrin që mbahet në prokurori shënohen aktet që urdhërojnë, autorizojnë, vleftësojnë ose zgjasin përgjimet, si dhe fillimin e mbarimin e veprimeve të çdo përgjimi.

8. Në rastet e parashikuara nga neni 221, paragrafi 2, veprimi autorizohet nga prokurori.

/Pamfleti

meta kryemadhi

Lini një Përgjigje