TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Dhjetor 2023, 17:30

SPAK e BKH trokasin në derën e Metës dhe Kryemadhit, cilat janë 7 paditë që kanë futur në ankth çiftin e PL?

Shkruar nga Pamfleti
SPAK e BKH trokasin në derën e Metës dhe Kryemadhit, cilat
Meta e Kryemadhi telashe me drejtësinë

Sot u zbulua se SPAK ka bërë sekuestro në radhët e familjes Meta dhe flitet për prova, celularë dhe pasuri, por është mbajtur e fshehtë.

Prokuroria e Posaçme ka trokitur në derën e Ilir Metës. Ndaj tij janë bërë një sërë padish dhe madje vetë ish-presidenti ka shkuar në SPAK ku është marrë në pyetje, por duket se gjërat kanë lëvizur dhe sinjalet janë se po veprohet në sekret shumë të fortë.

Sot u zbulua se SPAK ka bërë sekuestro në radhët e familjes Meta dhe flitet për prova, celularë dhe pasuri, por është mbajtur e fshehtë. Ka qenë Kryemadhi që bëri një padi në gjykatë dhe kërkoi heqjen e sekuestros, gjë që nuk u pranua.

Sipas informacioneve, në SPAK janë 7 padi ndaj Metës dhe Kryemadhit dhe disa prej tyre janë bashkuar. Detaj tjetër është se prej datës 17 nëntor Ilir Meta nuk ka dalë në media. Ai u shfaq pak vetëm Ditën e Çlirimit, por nuk ka bërë asnjë deklaratë lidhur me aktualitetin politik. 

Dyshimet janë se Meta po punon nën rrogoz, ndërsa vetë “Pamfleti” ka raportuar se po lufton që të shesë pasuritë nga frika se do i sekuestrohen. Dhe nëse shohim numrin e padive, duket se telashet për të do të jenë të shumta dhe ish-presidenti po i paraprin gjithçkaje.

Dosja e lobimit 1

Në mes të muajit gusht 2022, SPAK mori nën hetim Ilir Metën për lobim në SHBA me vlerë 690 mijë USD, para këto të padeklaruara as në KQZ dhe as në ILDKP. Procedimi penal ishte regjistruar që në qershor 2022, pas kallëzimit të referuar nga ish deputeti Halit Valteri. Në duart e hetuesve janë dy kontrata të LSI-së dhe Ilir Metës, me kompaninë McKeon Group në janar dhe qershor 2017, për t’i siguruar Metës takime dhe aktivitete në SHBA. Si ndërmjetëse është përdorur kompania “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro. Meta po hetohet për veprat penale të korrupsionit dhe falsifikimit të formularëve.

Lobimi 2 dhe fshehje pasurie

Po në vitin 2022, SPAK ka regjistruar një tjetër procedim penal, bazuar në një tjetër kallëzim penal të ish deputetit Halit Valteri. Pjesë e kallëzimit të dytë penal janë Presidenti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, deputeti Petrit Vasili, ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, kandidatja për deputete e LSI, Elona Guri, biznesmeni pranë LSI-së Muharrem Berisha, si dhe Iris Zajmi, Elena Gace, Jori Prifti dhe Agron Xhafa. Në kallëzimin penal thuhet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave që rrjedhin nga korrupsioni dhe vjedhja e pasurive publike, ku në krye të kësaj skeme qëndron si zakonisht çifti Meta-Kryemadhi. Në kallëzim referohen kontrata të tjera lobimi në 2017 të padeklaruara si dhe ngrihen dyshim për fshehje pasurie, përfshirë edhe godinën e LSI-së. Procedimi penale është regjistruar për fshehje pasurie, korrupsion dhe pastrim parash.

Dosja e kunatit me SGS

Në 25 korrik 2022, SPAK ka regjistruar një tjetër procedim penal nr. 137, për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash. Të kallëzuar janë Ilir Meta, Monika Kryemadhi, vëllai i Monikës, Drini Kryemadhi dhe vjehrri i Drinit, Nuri Peti. Drini Kryemadhi ka marrë rreth 360 mijë USD nga kompania e kolaudimit SGS, në formë pagash, gjatë periudhës 2013-2020, me funksionin inxhinier mekanik.

Drini Kryemadhi e kishte pagën më të lartë se sa CEO i SGS, në dhjetor të 2020 ka marrë edhe një shpërblim me vlerë 30 mijë USD, ndërsa dyshohet se nuk ka shkuar fare në punë. Një pjesë të parave, Drini Kryemadhi ia ka kaluar LSI-së dhe Monikës. Ka dyshime të forta se SGS-ja i ka dhënë paratë Drini Kryemadhit në këmbim të heshtjes së Ministrisë së Transporteve që kontrollohej nga Meta, për moszbatimin e kontratës sa i takon investimeve në pikat e kolaudimit të automjeteve.

Afera CEZ-DIA

Në prill të 2022, SPAK ka rihapur dosjen e CEZ-DIA të vjedhjes së parave publike. Vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta i kërkon Kastriot Ismailajt, bashkëshortit të Vojsavës (i dënuar me 11 vite burg), 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka deklaruar Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para.

Shitja e pasaportave

Sipas burimeve, për Ilir Metën është referuar një tjetër kallëzim në SPAK, për korrupsion dhe shpërdorim detyre, për çështjen e skandalit të nënshtetësive. Si President, Ilir Meta ka dhënë me dhjetëra nënshtetësi VIP, në mënyrë abuzive dhe në shkelje flagrante të ligjit, ndërsa ka dyshime të forta se një pjesë e pasaportave shqiptare për shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë janë shitur. Meta u ka dhënë nënshtetësi në mënyrë të përshpejtuar, në shmangie të procedurës së zakonshme, si personalitete dhe VIP, peronave të dënuar për vrasje, vjedhje, grabitje, dhunë, militantëve partiakë, këngëtarëve të dasmave etj.

Ndërhyrjet estetike

Ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit është bërë një padi për ndërhyrje estetike. Ata dyshohet se kanë shpenzuar afro 300 mijë euro dhe nuk i kanë deklaruar. Sipas burimeve, në SPAK kanë mbërritur letër-porosi nga Qipro, Austria dhe vende të tjera dhe aty komprometohet Monika Kryemadhi.

Lidhja me rusët

Ndaj Monika Kryemadhit ka një padi nga Halit Valteri për lidhje me rusët, pak kohë më parë doli se ajo ka përfituar para nga kompania ruse, por këtë gjë nuk e ka deklaruar. /Pamfleti

Lini një Përgjigje