Bazuar në nenin 115 të Kushtetutës, kryetari i Bashkisë mund të shkarkohet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve dhe ankimimi në Gjykatën Kushtetuese mund të bëhet brenda 15 ditëve. Ky i fundit, pezullon efektin e vendimit të Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë, neni 62 i ligjit për vetëqeverisjen vendore, në pikën C të tij, parashikon propozim të shkarkimit kur kryebashkiaku nuk paraqitet në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.|
Këshilltari Ligjor i Presidentit, Ilir Rusmaili, sqaroi në një lidhje direkte për “Opinion” referencën ligjore për rastin më të diskutuar së fundmi, atë të Erion Veliajt. Sipas tij, referenca e bërë deri më tani për çështjen është e gabuar.
“Neni 115 i Kushtetutës ka përcaktuar një shkak kushtetues, shkelja e rëndë e Kushtetutës ose e ligjeve, që është identik me shkronjën A të nenit 62, të ligjit për qeverisjen vendore. Rasti në fjalë është vetëm shkronja C e nenit 62. Vetëm ai rast ka lidhje me nenin 115! Kushdo që flet për të tjerat, ka ngatërruar rastin. Kjo referencë është pa lidhje, e gabuar!”, deklaroi ai.
Rusmaili theksoi se është krijuar një “kaos në media me interpretimin e dispozitave ligjore, për shkak të interesave konkurruese që kanë palët”.
“Nuk ka paqartësi! Është vetëm tek opinionistët”, nënvizoi ai.
Ai dha një shpjegim të detajuar lidhur me nenin 115 të Kushtetutës së Shqipërisë, si më poshtë:
“Ka shumë abuzim për qëllimin dhe përmbajtjen e tij, nuk përcakton kompetencën e Këshillit të Ministrave për të shkarkuar kryebashkiakun. E dyta, nuk është nen që përcakton shkaqet e shkarkimit të organit të pushtetit vendor. Ka një funksion të rëndësishëm që qëndron në dhënien e garancive të posaçme për t’u mbrojtur nga ndërhyrja e pushteteve të tjera.”
Po cilat janë këto ndërhyrje?
“Në rast se Këshilli i Ministrave me vullnetin e tij politik, konsideron se organi i pushtetit vendor ka shkelur Kushtetutën ka të drejtë ta shkarkojë. Shkarkimi ka dy garanci të fuqishme, e para shkon në Kushtetuese, dhe ka garancinë proceduriale të pezullimit të aktit. Por në rastet kur shkarkimi është politik, por jo në rrethana të tjera! Kur vjen prej dënimit penal, është rrethanë që vjen nga gjykatat. Kur mungon në detyrë, ky nuk është shkak politik, por juridik!”, shpjegoi Rusmaili.
Lini një Përgjigje