TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Mars 2026, 14:03

Rritja e çmimit të naftës, Rama: Nuk do të ketë heqje të taksës së qarkullimit

Shkruar nga Pamfleti
Rritja e çmimit të naftës, Rama: Nuk do të ketë heqje
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me furnizuesit e naftës, në një kohë kur çmimet e karburanteve kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke nxitur reagime dhe kërkesa nga qytetarët për uljen e barrës fiskale.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te kërkesat për ndërhyrje në çmim, duke përmendur propozimin që të ardhurat shtesë në buxhet nga TVSH mbi çmimin e rritur të karburantit të rikthehen për qytetarët dhe bizneset në çmimin fundor. Megjithatë, ai theksoi se prioritet në shpërndarjen e të ardhurave shtesë do të kenë pensionistët.

Një tjetër pikë ku Rama u ndal ishte kërkesa e përsëritur për uljen e taksës së qarkullimit, e përfshirë në çmimin e karburantit. Ai e përjashtoi këtë mundësi, duke argumentuar se heqja e saj nga çmimi nuk do të sillte ulje reale të barrës për qytetarët.

"Kërkesa që shtesa e të ardhurave në buxhet nga TVSH mbi çmimin e rritur të karburantit të rikthehet për qytetarët dhe bizneset në çmimin fundor. Ka vetëm një kategori që do të marrë më shumë sa herë të jepet mundësia, qoftë nga rritja ekonomike mbi parashikimin, qoftë edhe nga ardhura të rritura si pasojë e situatave të kësaj natyre dhe kjo kategori është kategoria e pensionistëve. Askush s’do të kërkojë nga buxheti më shumë se i takon, pavarësisht dinamikave. Nga njëra ana sektori publik, pagat janë rritur dhe do vazhdojnë te rriten, siç ju e dini më mirë se sa shumë kush tjetër, në sektorin privat pagat janë rritur dhe rriten në mënyrë të vazhdueshme, sidomos për ata që kanë kualifikime, nuk është më pyetja, a vjen të punosh me këtë pagë, por është ndryshe, sa e do pagën që të vish të punosh. Në këtë fazë të zhvillimit të vendit jemi.

Një kërkesë që përsëritet, është të ulet taksa e qarkullimit. Taksa e qarkullimit e vendosur në strukturën e çmimit të karburantit. Për ata që e dëgjojnë këtë dhe nuk janë të informuar, nuk është problemi se ulet, po iku nga këtu, do shkojë diku tjetër, aty ku e kanë vendet që nuk e kanë në strukturën e çmimit. Nëse shkon diku tjetër, do shkojë tek përdoruesi i mjetit, në formën e taksës për mjetin. Nuk besoj se ka përdorues mjeti që do preferonte se në vend që ta paguante në strukturën e çmimit për aq sa harxhon, të paguajë 4-fishin e asaj që paguan sot për makinën. Dhe sipas kategorive të makinave të paguajë në ndonjë rast edhe 10-fishin”, u shpreh Rama.

 

 

edi rama rritja e cmimit te naftes

1 Komente

  1. o
    ou

    Le te behet sic e kane vendet ne rajon, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi .

    Lini një Përgjigje