Monika Kryemadhi hodhi akuza ndaj sistemit të drejtësisë pasi doli nga Gjykata e Posaçme, ku u vendos kalimi për gjykim i dosjes ku është e përfshirë së bashku me Ilir Metën.
Sipas saj, gjyqtarja e seancës paraprake pranoi se në dosje nuk ka prova, ndërsa e cilësoi procesin si politik. Kryemadhi tha se nuk kishte pritshmëri nga drejtësia dhe paralajmëroi se do të bëjë publike dosjen.
Kryemadhi u shpreh se gjatë seancës u evidentuan elemente që nuk ishin përfshirë nga prokuroria, ndërsa ngriti dyshime edhe për mënyrën si është kryer analiza financiare në çështje. Ajo shtoi se akuzat mbështeten në perceptime dhe jo në prova konkrete.
Ajo deklaroi se beteja ligjore ka përfunduar dhe se çështja do të vijojë në plan publik. Ajo e konsideroi vendimin si të marrë nën presion dhe kritikoi funksionimin e sistemit të drejtësisë.
“Avokati është i indinjuar se kishte pritshmëri, unë nuk kisha asnjë pritshmëri te drejtësia e Edi Ramës. Tani do shohim Big Brother e Drejtësisë. Do ta shohin mjerimin ligjor të sistemit të drejtësisë. Një gjë të mirë bëri gjyqtarja, renditi 10 fakte që nuk i përmendi prokuroria. Akuzohem me Adrian Shatkun, por ai nuk është marrë në pyetje.
Analizën financiare e ka bërë një eksperte që dy javë pasi dorëzoi analizën, u kandidua për bordin dhe u përdor aty. Kjo është një drejtësi qesharake. Në Strasburg, zotit Meta i jepet një shans të madh, edhe për të treguar miliona dollarë që janë paguar për një sistem drejtësie. Nuk jam e surprizuar, jam e bindur që është gjyq politik.
Fatin tonë në dorë nuk e ka as GJKKO, as prokuroria, por e kemi vetë në dorë. Është betejë në opinionin publik, beteja ligjore ka mbaruar. Beteja jonë është me vetveten dhe me Zotin, marrëdhënien tonë e kemi me Zotin. Sa i përket vendimit të sotëm, ishte vendim nën presion. Gjyqtarja pranoi se në dosje nuk ka asnjë provë.
Vetë prokurorët thonë akuzat janë perceptime. Unë di t’ju them që në dosje nuk ka asgjë. Tani do kënaqeni”, u shpreh Kryemadhi.
Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ku të pandehur janë edhe Monika Kryemadhi dhe tre persona të tjerë. Vendimi u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka pas përfundimit të shqyrtimit paraprak, i cili zgjati rreth tetë muaj.
Gjyqtarja rrëzoi kërkesat për pavlefshmëri të provave dhe i hapi rrugë shqyrtimit në themel të çështjes. Hetimet nga SPAK për këtë dosje kishin përfunduar në gusht të vitit 2025.
Akoma kjo baxhelle!