
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i është përgjigjur deputetit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu, lidhur me rrëzimin e kërkesës për interpelancë me kryeministrin Edi Rama, që lidhej me vendimmarrjen e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit.
Gjatë fjalës së tij, Balliu kundërshtoi vendimin, duke theksuar se kërkesa nuk bazohej vetëm në burime mediatike, por edhe në institucione zyrtare.
“Interpelancën e parë me kryeministrin e keni mohuar me një justifikim që i referohemi burimeve mediatike, ndërsa unë i referohem SPAK, INSTAT, etj…. Ai nuk vjen, ose ia delegon dikujt tjetër, e kemi dëgjuar të flasë vetëm për Diellën”, u shpreh Balliu.
Nga ana tjetër, Peleshi sqaroi se kërkesa nuk përmbush kriteret ligjore për zhvillimin e një interpelance, pasi nuk identifikon një vendimmarrje konkrete të Këshillit të Ministrave.
“Ju informoj se për kthimin e kërkesës për interpelancë me kryeministrin, pas shqyrtimit të kërkesës konstatohet se nuk mund të pranohet, interpelanca lidhet me qëndrime dhe vendime konkrete të marra të qeverisë dhe kërkesa e paraqitur mbështetet në raporte, artikuj mediat, burime të tjera të jashtme dhe nuk identifikon një akt të drejtpërdrejtë të Këshillit të Ministrave.
Dua të theksoj se nuk mund të thirret kryeministri për t’iu përgjigjur përmbajtjes së artikujve dhe për këtë arsye nuk pranohet”, tha Peleshi.
Lini një Përgjigje