Mocioni me debat mbi problematikat e konstatuara nga DASH për klimën e investimeve në Shqipëri u miratua përmes votimit në Kuvend për t’u zhvilluar në datën 14 maj.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se miratimi është plotësisht në shkelje të rregullores së Kuvendit.
"Është tërësisht në shkelje të rregullores së Kuvendit. Rregullorja ju detyron të propozoni kur s’ka mirëkuptim, një datë që s’mund të jetë më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së mocionit. S’e di si e llogarisni 30 ditë 5 muaj sepse kërkesa jonë është e datës 5 nëntor 2025. Ju vini me propozim që mocioni të zhvillohet në javën e parë, të dytë apo të tretë të majit. Kjo është shkelja juaj personale. Ju vazhdoni në çdo seancë të shkelni rregulloren", tha Bardhi.
Bardhi tha se ndaj opozitës nuk ka transparencë dhe s’është vënë në dijeni të këtyre ligjeve, pavarësisht kërkesave.
“Ju nuk denjoni të informoni opozitën cila është lista e ligjeve të nevojshme për procesin e integrimit. E kemi kërkuar më shumë sesa 10 herë, praktikisht në çdo mbledhje të konferencës së kryetarëve. Vini dhe tundni një listë dhe thoni nuk votoni. Nga ta dimë ne kush janë ligjet kur nuk i dimë? Na i jepni t’i dimë kush janë ligjet! Kemi kërkuar bashkëpunim dhe na është mohuar transparenca minimale për t’i ditur këto projektligje”, tha Bardhi.
Lini një Përgjigje