Budapesti, beteja që mund të rrëzojë Orbanin dhe të trazojë gjithë Ballkanin...
Nga Vance te Merz, nga Magyar te Rama: loja e madhe politike që nis në Hungari mund të prodhojë valë të forta edhe në Shqipëri...
Të dielën zhvillohet një lojë e madhe politike, ku nuk ka hyrë vetëm vendi që i zhvillon zgjedhjet, pra Hungaria, por edhe gjithë Europa, madje edhe më gjerë.
Nuk është rastësi që vetëm 24 orë më parë, në Budapest mbërriti me urgjencë zv.presidenti i SHBA-së, J.D. Vance, duke treguar kështu rëndësinë e kësaj beteje.
Numri dy i Shtëpisë së Bardhë ngriti gishtin me forcë kundër Europës, por “hëna” që tregonte gishti i J.D. Vance nuk ishte askush tjetër veç kancelarit gjerman, Friedrich Merz.
Ai është njeriu që ka vënë bastin e madh dhe investimin kryesor në zgjedhjet e së dielës, ku për herë të parë pas 16 vitesh, njeriu i fortë i Budapestit, Viktor Orban, hyn jo si favorit.
Europa, më saktë Gjermania dhe Franca, kanë mbështetur kandidatin e opozitës, përkatësisht të partisë TISZA, Peter Magyar.
Ish-aleati i Orbanit, i cili që prej vitit 2020 po zhvillon një betejë antikorrupsion dhe antiautokraci kundër ish-shefit të tij, Magyar, u pranua me shpejtësi në Partinë Popullore Europiane dhe u mbështet fuqishëm nga kristiandemokratët e kancelarit Merz.
Këta të fundit po harxhojnë të gjitha bateritë politike për të sjellë ndryshimin në Hungari, një objektiv që për Berlinin është strategjik.
Kjo sepse kërkojnë të largojnë nga skena një aleat të ngushtë dhe të rëndësishëm të Vladimir Putinit brenda BE-së, për të larë hesapet edhe me kolegun e tij në Sllovaki, Robert Fico, si dhe me kryeministrin çek, Andrej Babiš.
Të tre këta emra janë sot ndër më të akuzuarit për korrupsion nga opinioni publik i vendeve të tyre, por edhe nga ai europian.
Beteja e Budapestit konsiderohet më e rëndësishmja, edhe për shkak të fuqisë dhe peshës së madhe që ka në politikën e vendit të tij, por edhe në Europën Lindore deri në Ballkan, njeriu i hekurt i Budapestit.
Rrjeti ekonomiko-financiar i lidhur me të zotëron një copë të madhe të tregut ballkanik, duke e kthyer Orbanin në një nga personat më të fuqishëm në kontinent.
Po t’i shtosh kësaj edhe lidhjen e afërt me Putinin dhe aleancën e ngushtë me Donald Trumpin, panorama bëhet edhe më e komplikuar.
Sondazhet e fundit të kompanive më të njohura europiane e vendosin Orbanin mbi 8 pikë poshtë partisë kryesore opozitare, ndërkohë që të gjitha forcat politike anti-Orban mund të kontrollojnë dy të tretat e Parlamentit të vendit. Kjo do të siguronte një çmontim rrënjësor të sistemit që ka ngritur njeriu i fortë i Budapestit.
Ndërkaq, duket se modeli anti-Orban nuk është i përqendruar vetëm në Hungari, por edhe në vendet e tjera ku udhëheqin ortakët politikë të autokratit hungarez.
Mes tyre hyn edhe Shqipëria, qoftë për shkak të afërsisë së Orbanit me Edi Ramën, qoftë për shkak të depërtimit të dyshimtë të kapitalit të afërt me kreun e Fidesz-it, qoftë edhe për shkak të dyshimeve mbi infiltrime ruso-kineze, të cilat në Budapest kanë sheshpushimin kryesor në Europë.
Po cili mund të jetë homologu i modelit hungarez në Shqipëri?
Dy janë rrugët për ta bërë këtë, pasi prej kohësh Gjermania po studion me hollësi terrenin dhe komunikon me aktorë e faktorë të shumtë.
Sipas këtyre leximeve, është arritur në përfundimin se socialistët e Edi Ramës janë në kuotat e më pak se 38% të mbështetjes elektorale. Kjo do të thotë se ekzistojnë të gjitha mundësitë që, përmes zgjedhjeve, të largohet mazhoranca aktuale.
Kjo mund të arrihet me dy mënyra: ose me modelin që po ndiqet në Hungari, pra duke shkëputur një pjesë të PS-së për të krijuar një faktor politik anti-Rama që ta çajë mazhorancën, ose duke mbështetur krijimin e një force të re anti-establishment.
Por, siç duken gjasat, po synohet një ngjizje e këtyre dy faktorëve. Konkretisht, po inkurajohet dalja e aktorëve kritikë ndaj Edi Ramës brenda PS-së, ndërkohë që mbi 35% e mbështetjes që ekziston për një forcë të re politike, thuajse e ka bërë gati lançimin e një figure të bujshme.
Bëhet fjalë për një personazh nga drejtësia e re, mjaft popullor, i cili mund të drejtojë një forcë të re opozitare dhe të sigurojë bashkimin e të gjithë faktorëve kundër Edi Ramës në një listë të përbashkët.
Nuk është aspak çudi që loja të nisë që në verën e këtij viti, kur pritet të ketë një valë të re antikorrupsion ndaj mazhorancës, për ta dërrmuar edhe më shumë reputacionin e saj.
I alarmuar, Edi Rama ka deklaruar në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar se ka tentativa për të rrethuar mazhorancën, edhe nga ata që ai i quajti me ironi “diversantë”.
I informuar me detaje, Rama ka përgatitur skenarët e tij të përgjigjes, duke përfshirë në lojë edhe Sali Berishën, i cili deri tani po luan me dy porta.
Një pakt i Berishës me faktorët e rinj, duke u shkelur syrin gjermanëve, është ndërtuar në distancë, por ai nuk ka besim të plotë te kjo formulë. Ndaj po vijon edhe flirtin me Ramën për reformën zgjedhore, atë territoriale, e sidomos për ndryshimin e Kushtetutës.
Duket se pikërisht aty mund të jetë pika që do të sjellë lëvizjen e fortë, shpalljen e forcës së re dhe daljen në skenë të liderit të ri.
Por deri atëherë ka pak kohë.
Sepse gjithçka varet nga rezultati i së dielës në Budapest dhe nga të rejat e luftës tashmë globale që po zhvillohet në Gjirin Persik./Pamfleti
The policy is done like supermarkets, where you could find any variety of product. The problem is that, there isn't any genuine to find apart false products. Time proved 100% that Reactionary and Revolutionary are part two part of the Crime Medal. Where are we going? We are not gods and God never existed in people's minds and hearts, so !?