Ka nisur seanca plenare në Kuvend, ku deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësime lidhur me ndryshimet e rregullores së Kuvendit, duke i cilësuar ato si një shkelje flagrante të rregullave parlamentare.
Sipas saj, rregullorja duhet të pësojë vetëm ndryshime të përmbledhura dhe të dakordësuara, ndërsa ndërhyrjet e njëanshme nga mazhoranca cenojnë hapësirën e opozitës dhe shmangin procesin e nevojshëm të konsultimit.
Tabaku u shpreh se në Konferencën e Kryetarëve nuk është arritur dakordësi për kalendarin e punimeve, pasi mazhoranca ka propozuar që të përfshihen edhe ndryshimet e rregullores pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ajo shtoi se mazhoranca duket se disponon informacion që opozita nuk e ka.
“Në Konferencën e Kryetarëve nuk ramë dakord për kalendarin sepse mazhoranca propozoi të prezantohen edhe ndryshimet e rregullores pas zbardhjes nga Kushtetuesja. Mazhoranca na njoftoi se pret që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të zbardhet. Ne nuk dimë çfarë informacioni ka mazhoranca që ne nuk e kemi. Dua të njoftoj që ndryshimet e rregullores që PD i çoi në GJK, me një vendim të Kushtetueses që i dha të drejtë opozitës për shkelje, janë rasti më flagrant që rregullat në këtë parlament janë shkelur me dy këmbë,” tha Tabaku.
Ajo kritikoi gjithashtu propozimet e reja të Partisë Socialiste, duke argumentuar se ato kufizojnë të drejtat e opozitës dhe ngushtojnë hapësirën e komisioneve parlamentare që drejtohen prej saj.
“Nëse GJK nuk zbardh vendimin, ne do të vazhdojmë normalisht. Ky diskutim në Konferencë është i nevojshëm për të sqaruar që ndryshimet e njëanshme janë shkelje e të gjitha parimeve të bashkëjetesës në parlament,” u shpreh deputetja.
Në fund, ajo bëri të ditur se Partia Demokratike ka propozuar një mocion me debat për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ndërsa shtoi se ende nuk është zhvilluar diskutimi për raportin e parë.
Lini një Përgjigje