TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Prill 2026, 10:01

Ligji për portet turistike, Jorida Tabaku akuza qeverisë: Propozimi shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe 3 kapituj të BE-së

Shkruar nga Pamfleti
Ligji për portet turistike, Jorida Tabaku akuza qeverisë: Propozimi
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ditën e sotme ka dalë në një deklaratë për mediat përpara godinës së Kuvendit, pak minuta përpara nisjes së seancës së sotme plenare, ku ka kundërshtuar ligjin për portet turistike.

Tabaku tha se i ka dorëzuar një shkresë Parlamentit Europian ku i njofton se “ligji për portet turistike, ndryshimi i fundit që vjen në Parlament, është në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit si dhe të 3 kapitujve të legjislacionit të BE-së.

"Nuk është gjë e re që ligjet që kalojnë në Kuvendin e Shqipërisë janë me porosi, që mbrojnë interesat e veçanta, por ky është i 18-ti në radhën e ligjeve që vijnë me porosi.”

Deputetja demokrate shtoi se këtu bëhet fjalë për një model qeverisje “që i ndan pronat publike sikur i kanë të nënës e të babës” që sipas saj po e varfëron vendin dhe që sipas saj reflekton mënyrën si qeveria shqiptare e koncepton procesin e integrimit.

Partia Demokratike ka akuzuar ashpër qeverinë për një nismë ligjore që synon t’u dhurojë portet turistike klientëve dhe oligarkëve pranë pushtetit, duke i cilësuar ata si “investitorë strategjikë”.

Në një deklaratë për mediat, edhe deputetja demokrate Ina Zhupa denoncoi projektligjin e propozuar nga deputetja socialiste Zamira Sina, i cili po kalon me një shpejtësi të pazakontë në tre komisione parlamentare brenda një dite.

Deputetja Zhupa theksoi se ky nxitim për të miratuar ligjin në Komisionin e Turizmit, të Burimeve Natyrore dhe të Ekonomisë njëkohësisht, është një shkelje flagrante e procedurave parlamentare dhe një tregues i “falsitetit” të procesit. Ajo theksoi se ky ligj është “antikushtetues” dhe shkelja e parë serioze që i bëhet procedurës për një nismë me pasoja kaq të mëdha.

'Partia Demokratike ka bërë të qartë se do ta kundërshtojë ligjin në komisione, do të votojë kundër në seancë plenare dhe do ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese sapo të miratohet. ',u shpreh ajo.

ligji për portet turistike

Lini një Përgjigje