Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur shqetësimin për atë që e cilëson si përjashtim të opozitës nga funksionimi normal i Kuvendit, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD.
Në qëndrimin e tij, Bardhi akuzon shumicën se po bllokon të drejtat kushtetuese të opozitës, duke refuzuar iniciativat ligjore të saj dhe duke e përjashtuar nga proceset e rëndësishme vendimmarrëse, përfshirë emërimet në institucionet e pavarura dhe procesin e integrimit evropian.
Sipas tij, kjo situatë e ka kthyer rolin e deputetëve të opozitës në një rol formal, duke e konsideruar praninë e tyre në Parlament si një “fasadë të një normaliteti të rremë” që, sipas Bardhit, minon standardet bazë të parlamentarizmit demokratik.
Ai theksoi se, nëse opozita nuk ka mundësi të diskutojë çështje me interes publik, të ushtrojë kontroll mbi qeverinë apo të propozojë ligje dhe amendamente, atëherë roli i saj në Kuvend vihet seriozisht në pikëpyetje. Nga ana tjetër ai ka kërcënuar se nuk do të lejojnë asgjësimin e parlametarizmit, duke sinjalizuar se mund të kemi rikthim të trazirave në seanca plenare.
Mesazhi i Bardhit
Qëndrimi politik i shumicës për të bllokuar çdo të drejtë kushtetuese të opozitës, refuzimi i çdo iniciative ligjore, përjashtimi i saj nga procesi i emërimeve në institucionet e pavarura, apo përjashtimi i saj nga procesi i integrimit, e bën rolin e deputetëve të opozitës në Parlament jo vetëm të papërfillshëm, por mbi të gjitha një fasadë të një normaliteti të rremë, që minon vetë parimet dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik.
Kjo situatë vë seriozisht në pikëpyetje vetë qëllimin e vazhdimit të pranisë së opozitës në Parlament. Nëse opozita nuk mund të diskutojë çështje me interes publik, nuk mund të ushtrojë mbikëqyrje mbi qeverisjen, nuk mund të propozojë ligje apo amendamente në dobi të qytetarëve, dhe nëse të drejtat e saj kushtetuese shpërfillen, atëherë roli i saj bëhet thjesht formal, duke dështuar në përmbushjen e përgjegjësive demokratike.
Ndonëse ne mbetemi të përkushtuar për të vepruar brenda kuadrit institucional demokratik, nuk do të pranojmë kurrë asgjësimin e parlamentarizmit apo mohimin e të drejtave tona kushtetuese. Një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por që shkel rregullat bazë të bashkëjetesës demokratike brenda Parlamentit, ku shumica dhe opozita kanë rolet dhe përgjegjësitë e tyre përkatëse, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një propagandë e një normaliteti të rremë.
Ne duam që Shqipëria të ecë drejt Bashkimit Evropian jo përmes propagandës boshe, por përmes standardeve të mirëfillta dhe institucioneve që funksionojnë në mënyrë demokratike, duke nisur nga institucioni që përbën thelbin e Republikës sonë –Kuvendi i Shqipërisë.
Lini një Përgjigje