Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare, ku pritet të votohen dy kërkesa të opozitës, për ngritjen e Komisioneve Hetimore parlamentare. Komisioni i parë ka të bëjë me AKSHI-n, ndërsa tjetri me ARRSH-në.
Të dy kërkesat u rrëzuan nga Konferenca e Kryetarëve, qëndrim që pritet të mbahet sot nga deputetët socialistë edhe në seancën plenare. Socialistët pretendojnë se çështjet për të cilat demokratët kërkojnë hetim parlamentar po hetohen nga drejtësia dhe në kushte të tilla nuk mund të ketë mbivendosje.
Por për demokratët kjo ëhstë një lojë e PS-së dhe e Edi Ramës për të mos lejuar opozitën që të përmbushë rolin e saj, por edhe të Kuvendit, mbi kontrollin parlamentar ndaj ekzekutivit dhe institucioneve që varen prej tij.
Gjithsesi praktikat e deritanishme parlamentare kanë treguar se mazhorancat mbajnë në seancë të njëjtin qëndrim që shfaqin edhe në Konferencën e Kryetarëve, çka me shumë gjasa, kërkesat e opozitës për komisionet hetimore pritet të rrëzohen. Votimi pritet të paraprihet nga debate dhe akuza mes palëve, çka mund të tensionojnë situatën në sallën e Kuvendit.

Sipas dokumentit zyrtar, në rendin e ditës përfshihet fillimisht miratimi i procesverbalit të seancës së mëparshme, si dhe njoftime të ndryshme procedurale.
Në vijim, deputetët do të zhvillojnë një interpelancë me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, e kërkuar nga deputeti Erion Braçe. Gjithashtu, është parashikuar një seancë pyetje–përgjigje me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, me kërkesë të deputetes Erisa Xhixho.
Një pjesë e rëndësishme e seancës do t’i kushtohet shqyrtimit të disa projektligjeve. Mes tyre përfshihen ndryshime në ligjin për portet turistike, si dhe amendamente në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Seanca pritet të votojë edhe një projektvendim për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Në 19 mars, Qeveria i propozoi Kuvendit emrin e Olta Rushaj si anëtare të Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, për të plotësuar vakancën që ka ekzekutivi në këtë këshill.
Lini një Përgjigje