Deputeti i PD, Saimir Korreshi, iu drejtua me tone ironike ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, duke ngritur çështjen e mungesës së saj në interpelancat parlamentare dhe situatën në sistemin shëndetësor.
Korreshi e lidhi mungesën e ministres në Kuvend me mungesën e reagimit ndaj problemeve konkrete në spitale, duke përmendur raste specifike nga Lushnja, ku sipas tij mungojnë edhe materialet bazë mjekësore.
“A është mirë ajo se duhet pyetur nga shëndeti se mirë interpelancat tona s’i keni futur në tenxhere për t’u zier? E di ajo që është ministre apo s’e di se nuk braktiset Kuvendi kështu? Nuk pret sëmundja siç thotë ministrja, në fund të vitit, brenda këtij viti, nuk pret. Nëse s’e dini ku është, ta kërkojmë rrugëve të Tiranës. Ilaçet s’e dinte, çfarë pune bën kjo? Se për të marrë urgjencën, i bie 127 lidhem me Tiranën dhe ai kismet kur të lidhet me Lushnjen.
Nuk doja ta provoja te robtë e shtëpisë, por thojini ministres se ç’ndodh në spitalet shqiptare se nuk e ka idenë çfarë kalojnë pacientët. A e dini që s’ka as pambuk në Lushnje, as dorashka? Të vijë e ta shohë ç’ndodh! Kush mban përgjegjësi? Zhvendoset spitali e s’del leja e ndërtimit? Pse duhet t’i trajtojmë njerëzit si stallë derrash? Njoftojeni të paktën për rrogën që ka kaluar”, tha Korreshi.
Lini një Përgjigje