TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Qershor 2023, 17:29

Rinumërimi i votave për Elbasanin dhe Kamzën, Celibashi: Të dhënat përputhen 100% me rezultatin e sistemit elektronik

Shkruar nga Pamfleti
Rinumërimi i votave për Elbasanin dhe Kamzën, Celibashi: Të
Ilirjan Celibashi

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka komentuar edhe një herë rezultatin e zgjedhjeve vendore në bashkitë Elbasan dhe Kamëz, ku qytetarët votuan elektronikisht.

Celibashi bën me dije se të dhënat e dala nga rinumërimi i disa kutive të votimit për Bashkitë Elbasan dhe Kamëz kanë treguar se përputhen me të dhënat që kanë dalë nga pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik.

“Të dhënat e dala nga rinumërimi, përputhen 100% me rezultatin e sistemit elektronik të transmetuara nga pajisjet elektronike të votimit dhe numërimit (PEVN) në KQZ Shqipëri”, shkruan Celibashi.

Sipas tij, të dhënat nga rivlerësimi/rinumërimi i disa QV-ve janë të Bashkisë Elbasan dhe Kamëz. Në zgjedhjet e 14 Majit, veç dy bashkive të mësipërme, u votua dhe numërua elektronikisht edhe në atë të Vorës.

Opozita ka pretenduar se në zgjedhjet e 14 Majit ka patur manipulim të zgjedhësve dhe një ndër arsyet ka qenë edhe votimi dhe numërimi elektronik.

Tre ditë më parë, (2 Qershor 2023) në konferencën e përjavshme me gazetarët, ish kryeministri Sali Berisha u shprehur se vetëm në 6 qendra votimi në Kamëz janë gjetur 240 ndërhyrje manipulative.

“Kemi rezultatet e para të shqyrtimit të procesit elektoral në 6 qendra votimi në Kamëz kundrejt 133 qendrave që ka kjo bashki. Në këto 6 qendra janë gjetur 240 raste ndërhyrjeje manipulative. Operatori voton vetë më disa karta identiteti. Komisionerja e PS voton për votuesin. Ka dhe raste të tjera ku voton 1 person për 3 votues”, tha Berisha. Ndërkohë, ish-kryeministri ka publikuar gjithashtu edhe video, ku sipas tij shihet qartë që disa persona kanë ndërhyrë në procesin e votimit të qytetarëve.

elbasan kamez celibashi

Lini një Përgjigje