TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Janar 2024, 09:36

Revolta e butë në PS ndaj lëvizjeve të Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Revolta e butë në PS ndaj lëvizjeve të Edi Ramës
Edi Rama me Blendi Klosin /

Ankth dhe panik në kupolën e mazhorancës nga ndryshimet që po projekton Edi Rama...

Disa ditë më parë, në mediat shqiptare që transmetojnë aktivitetet e kryebashkiakut Erion Veliaj, u pa një sërë takimesh të tij në disa zona jashtë bashkisë Tiranë. Kryesisht në Rrogozhinë, Kavajë apo Vorë. Takimet u ilustruan në kuadër të aktivitetit të Veliajt si kreu politik i qarkut të Tiranës.

Pati 2 apo 3 takime të tilla, por më pas aktiviteti u ndërpre. E gjitha ngjau si një lëvizje e paqartë, pasi nuk jemi në fushatë zgjedhore, dhe nuk pati në qarqet e tjera të vendit takime të tilla politike.

Zakonisht në Partinë Socialiste, është Edi Rama ai që në logjikën e ‘one man show’ drejton të gjitha aktivitetet në qarqe, siç bëri atë të fundit të vitit me takimet për buxhetin.

Në të gjitha aktivitetet, përveç ndonjë hyrje të vogël të Blendi Klosit si Sekretar i përgjithshëm, apo ndonjë sqarimi të ndonjë ministri, për çështje teknike, ka folur me orë të tëra vetëm Edi Rama.

Atëherë si ndodhi që kreu politik i qarkut të Tiranës në zgjedhjet e shkuara, doli në takime politike në disa zona jashtë bashkisë, e më pas e ndërpreu menjëherë, duke mos dhënë shpjegime?

Gjithçka është kryer me ndërhyrjen e menjëhershme të Edi Ramës, i cili e ka marrë për keq këtë aktivitet.

Madje, siç mësohet nga burime në kupolën e mazhorancës, është lënë që për këtë të diskutohet në një mbledhje të posaçme të kryesisë së Partisë Socialiste.

Sipas modelit që Rama ka krijuar në dy zgjedhjet e fundit, dy vite para zgjedhjeve parlamentare bën emërimet e krerëve politikë të 12 qarqeve në të gjithë vendin. E në bazë të kësaj strukture janë caktuar më pas kandidatët për deputetë.

Por këtë herë ende nuk janë emëruar drejtuesit e qarqeve, ndërkohë që ata aktualët u është thënë se nuk i kanë më këto funksione.

Madje mësohet se ka pasur edhe një komunikim të Sekretarit të Përgjithshëm për këtë çështje, duke bërë të ditur se të gjithë aktivitetin politik në qarqe do ta drejtojë sekretariati.

Kjo duket se ka shkaktuar panik, sidomos me lëvizjet e fundit të Edi Ramës, që emëroi Blendi Gonxhen si supërministër të Ekonomisë dhe Kulturës. Emërim që disa, ose shumë prej drejtuesve në PS e kanë kuptuar qartë si lëvizje politike. Sidomos kur në media apo gazetarë pro qeverisë, nisën të dalin edhe versionet ku mund të shkojë ministri ri. Që nga logjika e pasardhësit, e deri tek mundësia për kryetar i bashkisë së Tiranës.

Njerëzit që duket se janë aktivizuar më shumë për këtë lëvizje janë Veliaj e Balluku, të cilët edhe kanë pushtet më shumë në mazhorancë pas Edi Ramës.

Balluku, është alarmuar edhe nga ndryshimi i drejtorëve të ministrisë që bëri Gonxhe, e dikur ishin emëruar nga zv.kryeministrja.

Ndërkaq, vetë Balluku me urgjencë bëri ndryshimet në drejtorinë që ka kryesuar ministri i ri i Ekonomisë.

Por dilema më e madhe është caktimi i krerëve të qarqeve, të cilët po i vonon Edi Rama.

Lëvizjet e panikosura të kryebashkiakut me takime në Kavajë e Rrogozhinë, ishin si për të treguar se në kryeqytet nuk do ketë lëvizje. Por burime nga mazhoranca bëjnë të ditur se Rama ka lënë të kuptohet se do të ndryshohen komplet krerët e qarqeve.

Në Tiranë përshembull, ka gjasa të vendoset njëri nga dy Blendët: o Gonxhe o Klosi. Balluku mund të lëvizë nga Dibra për t’u dërguar në Durrës.

Megjithatë, kjo deri tani është më shumë pjesë e zërave që lëvizin në korridore, të cilët i gatuan kuzhina e fortë e PR të Edi Ramës. Që si gjithmonë i hap vetë fjalët, e më pas thotë pse flisni, e i fut një lëvizje të fortë, që e ka menduar që në fillim.

Ndaj dhe ka nisur një panik i madh, që u ndikua nga këto lëvizje./Pamfleti

revolta e butë në ps lëvizjet e edi ramës

Lini një Përgjigje