
Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi ka folur për zhvillimet e sotme në komisionin e Reformës Zgjedhore.
Sipas Bylykbashit, Rama e ka zëvendësuar opozitën e vërtetë me atë opozitë që kryeministri e ka zgjedhur vetë dhe që ka fytyrën e Lulzim Bashës.
Madje sipas Bylykbashit, Bashës edhe vulën ia ka dhënë Rama.
“Praktikisht Edi Rama po zëvendëson opozitën me opozitën që ka zjedhur ai. E ka bërë këtë me PD-në dhe i jep vulën me gjykatën, ndërkohë që gjykata ia ka hequr, i thotë KQZ-së nxirr një shkresë tjetër. Gjykata e Lartë ia ka hequr tagrin ligjor. Vendimi i Apelit është shfuqizuar dhe është në fuqi vendimi i Shkallës së Parë që njeh 11 dhjetorin. Pra, Lulzim Basha thotë se vula e PD është e imja se ma jep Edi Rama, kryesimi i grupit parlamentar është i imi se ma jep Edi Rama, edhe komisioni i reformës zgjedhore është i imi, se ma jep Edi Rama”, ka thënë Bylykbashi.
Sipas deputetit demokrat, Lulzim Basha përfaqëson një fraksion shumë të vogël të deputetëve të opozitës.
“Pa Edi Ramën ai nuk është askushi. Është një fraksion i vogël i deputetëve të PD dhe të opozitës. Pra janë vetëm 11 nga 62 deputetë të opozitës. Dhe Edi Rama po bën një reformë konsensuale me një opozitë që përfaqësohet nga 11 deputetë. Ndërkohë që 47 deputetë të opozitës kanë firmosur një kërkesë zyrtare që të riformatohet gjysma që i takon opozitës. Është hera e parë në histori që komisioni i reformës zgjedhore synon të bëjë reformë virtuale dhe jo konsensuale. Rama do përpiqet të shesë që ja kjo është, e bëri në vitin 2020 me Kërpërata 1.0, do ta bëjë në vitin 2024 me Kërpërata 2.0, versioni i azhurnuar me fytyrën e Lulzim Bashën”, është shprehur Bylykbashi në një intervistë tek Syri Tv.
Lini një Përgjigje