Nga Kongresi i PS që po mbahet ditën e sotme, ministrja Elisa Spiropali u ndal edhe te reforma në drejtësi.
Sikurse edhe kryeministri Edi Rama, ajo tha se “kush ka gabuar me dashje, duhet të paguajë”, duke shtuar se çdo eksponent politik betejën me drejtësinë e ka personale.
“Shqipëria ka ndryshuar në mënyrë marramendëse dhe parimi i artë kushtetues i balancës së pushteteve ka nisur të funksionojë dhe të japë shenja të forta. Ka një listë jo të vogël me miq, kolegë e ish-kolegë që kanë një bast personal me drejtësinë. Kush ka gabuar me dashje, duhet të paguajë dhe kush vërteton të kundërtën e ka të hapur derën e mbyllur përkohësisht.
Prezumimi i pafajësisë është i shenjtë, besimi ynë është te drejtësia deri në fund. Duhet të kuptojmë se zgjidhjet juridike janë të pamjaftueshme nëse nuk parashoqërohen me zgjidhje me mjete politike. Duhet të lëvizim fort dhe shpejt drejt një tjetër lloji lufte, hapja e PS-së e të rinjve, meritokracia e karriera e kushtëzuar janë vaksinat politike që na imunizojnë ndaj shfaqjeve. PS është edhe sëmundja që duhet kuruar edhe ilaçi që kuron.”, tha ajo.
Ministrja e Shtetit në fjalën e saj në Kongresin e Partisë Socialiste u ndal edhe te kundërshtari politik, që sipas saj është për faqe të zezë.
Sipas saj PS e ka garën me vetveten, jo me opozitën.
Ajo bëri thirrje që socialistët të mos bien në vetëkënaqësi, pasi kjo më pas kthehet në arrogancë, prandaj secili duhet të reflektojë dhe të punojë për të përmbushur besimin e qytetarëve.
“Garën nuk e kemi me atë përballë që janë për faqe të zezë, por me qytetarët. Fitimtari nuk gjykohet. Fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme nuk jep arsye që ekipi ynë të gjykohet. Por pikërisht ne këtë duhet të bëjmë për të shëruar sëmundjet që vijnë nga një qeverisja e saj. Ne aq sa jemi forcë qeverisëse jemi edhe një opozitë e vetes”, tha Spiropali.
Lini një Përgjigje