
Manovrat e Ramës, afatet Kushtetuese, roli i Presidentit dhe i Gjykatës Kushtetuese, çfarë mendojnë juristët për zgjedhjet e Tiranës...
Kryeministri Edi Rama rrezikon ta fusë vendin në një përplasje të thellë institucionale. Për shkak të interesave dhe inateve politike të tij, kreu i qeverisë po rrezikon një krisje të re me Gjykatën Kushtetuese, teksa ka vënë në vështirësi dhe Presidentin e Republikës.
Ditën e sotme, Edi Rama ka dorëzuar në Presidencë vakancën për 6 bashki të vendit (Vlora, Berati, Mati, Cërriku, Tepelena dhe Tirana). Por teksa për 5 të parat gjithçka duket normale, te Tirana situata ndryshon. Një ditë më parë Erion Veliaj përmes avokatëve të tij dorëzoi ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij.
Këshilli Bashkiak e shkarkoi Veliajn me argumentin se kishte 3 muaj pa shkuar në zyrë, teksa ai u finalizua nga Këshilli i Ministrave. Por Veliaj pretendon se ka abuzim me vendimin, pasi ai nuk ka kryer asnjë shkelje të rëndë dhe mungesa e tij është për shkak të arrestit dhe jo me vullnet të lirë. Po ashtu atij i është mohuar e drejta të dëgjohet, e drejtë kyçe kjo e përcaktuar në ligj.
Vetë Kushtetuesja e mori me përparësi këtë ankimim dhe menjëherë u pranua padia, teksa relatore u shpall Sonila Bejtja. Vetë Kushtetuesja sot informoi se praktikisht me pranimin e padisë, hyn na zbatim neni 115 i Kushtetutës ku në pikën 2 thuhet: “Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet”.
Aspekti juridik
Edhe pse Rama e dinte këtë përcaktim, sërish është vënë në lëvizje duke i dërguar kërkesë presidentit për Tiranën. Me këtë lëvizje, kryeministri ka vënë në vështirësi Kreun e Shtetit dhe po e detyron atë të shkelë Kushtetutën, duke e nxjerrë veten të larë.
Sipas juristëve, në këtë rast presidenti duhet të kërkojë informacion nga Gjykata Kushtetuese për rastin e Tiranës. “Caktimi i datës së zgjedhjeve do të bëhet vetëm pasi ju të keni marrë një informacion në Gjykatën Kushtetuese dhe ata ta japin brenda orës, që ka një ankim dhe nëse po, një kopje të tij. Dhe caktimin e datës së zgjedhjeve për ato vakanca që nuk kemi proces ankimor në Gjykatën Kushtetuese. Pjesën tjetër e rregullon Kodi Zgjedhor, aq mirë dhe afatet se kur përfundon shqyrtimi i saj”, tha Bledar Dervishaj për "TCH", jurist dhe ish-këshilltar i Ilir Metës kur ishte president.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe juristi Jordan Daci në disa dalje televizive: “Kushtetuta e ka fare qartë; që bërja e ankimit çon automatikisht në pezullimin e vendimit. Pra, në këtë moment që ne flasim, Erion Veliaj nuk quhet i shkarkuar dhe quhet i shkarkuar vetëm kur të shprehet Gjykata Kushtetuese”.
Ndërsa ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, mendon se Gjykata Kushtetuese duhet të vërë në dijeni Presidencën për shqyrtimin e padisë së Veliajt kundër shkarkimit.
“Presidenti, nisur nga kjo, duhet të përdorë mundësitë që i jep afati 40 orë për të marrë informacione nëse ndodhemi në kushtet kur vendimi i Këshillit të Ministrave është i pezulluar apo jo. Kjo do të thotë në qoftë se Gjykata Kushtetuese nuk ia dërgon vetë njoftimin Presidentit të Republikës që ka pranuar padinë e zotit Veliaj ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave, duhet të jetë Presidenca, Presidenti i Republikës që duhet të kërkojë informacion lidhur me këtë situatë dhe pasi ta ketë këtë, të marrë vendimin”, tha Kume në “Klan”.
Përveç Kushtetutës, edhe Kodi Zgjedhor në nenin 10 të tij është shumë i qartë: “Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Në rast ankimi të organit të shpërndarë ose të shkarkuar, zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga mbarimi i afatit që ka organi i shpërndarë për të ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, kur kjo e drejtë nuk është ushtruar, ose data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rast se është ankuar në këtë gjykatë brenda afatit të nenit 115, pika 2 të Kushtetutës. Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit”.
Skenarët
Pra duket se tani gjithçka e ka në dorë Presidenti. Është ai që vendos nëse kemi apo jo zgjedhje në Bashkinë e Tiranës.
Skenari i parë është që Begaj dekreton mbajtjen e zgjedhjeve në 6 bashki. Nëse ndodh kjo, me shumë gjasë Rama do i shkojë deri në fund planit për të eliminuar politikisht Veliajn. Brenda 45 ditësh do të ketë zgjedhje dhe çfarëdo vendimi që të marrë Kushtetuesja mbi ankimin e Veliajt nuk përbën më problem, pasi nuk ka më efekt prapaveprues. Vetë Veliaj me shumë mundësi do të përfitojë pagat si kryetar bashkie dhe kaq.
Skenari i dytë është që Begaj të ndalet te neni 115 dhe të dekretojë zgjedhje vetëm në 5 bashki, pra pa Tiranën. Më pas topi kalon te Kushtetuesja. Si rregull kjo e fundit, në skenarin më të mirë mund të vendosë brenda 30 ditëve, pa përfshirë më pas kohën sa të zbardhet vendimi dhe të hyjë në fuqi.
Nëse i referohemi Kodit Zgjedhor, ndryshe nga zgjedhjet normale kur përcaktohet se ato mbahen në prill-maj ose tetor-nëntor, te zgjedhjet e pjesshme nuk ka kufizim. Pra Presidenti mund të vendosë pas vendimit të Kushtetueses, nëse kjo e fundit rrëzon Veliajn, pasi nëse jo, atëherë nuk ka zgjedhje.
Skenari i tretë është që të mos ketë zgjedhje në asnjë bashki pa folur Kushtetuesja, pasi vendi nuk e ka luksin të bëjë zgjedhje çdo muaj.
Duket qartë se Rama kërkon ta fusë vendin në një spirale të re tensioni politik dhe duket se në këtë rast ka pas vetes dhe opozitën, e cila e ndihmoi të shkarkohej Veliajn dhe pretendon se shkarkimi tij është i drejtë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje