
Fatmir Xhafaj paralajmëron se në sesionin e ri, PS do të tentojë të ribëjë reformën në drejtësi...
Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste po përgatiten të hapin në shtator një kapitull të ri të debatit për reformën në drejtësi, një proces që duket se shkon përtej “rregullimeve teknike” dhe sinjalizon mundësinë e rishikimit të disa prej ligjeve bazë të reformës së miratuar në vitin 2016.
Paralajmërimi erdhi nga kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, i cili prezantoi bilancin e një viti pune dhe foli për draftet që do të hyjnë në Kuvend në shtator.
“Ne kemi dokumente të hartuara prej ekspertëve për sistemin e drejtësisë. Nuk dëshironim t’i sillnim këtu gjatë fushatës zgjedhore sepse do të bëheshin menjëherë kazus për politikën e ditës. Por tani Kuvendi do ta ketë këtë në prioritetet e tij në sesionin e parë të legjislaturës së re”, deklaroi Xhafaj.
Ai dha sinjale se PS do kapet pas integrimit në BE, duke justifikuar çdo manovër me përmbushjen e kushteve të integrimit. Po ashtu Xhfaj sulmoi KLGJ e KLP duke dhënë një tjetër sinjal se shtatori do të sjellë një revansh ndaj drejtësisë.
“E dini ju që këshillat nuk kanë bërë një cikël të vlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve që është detyrim i tyre? Kjo nuk është thjesht çështje teknike, por një shkelje e detyrimeve ligjore”, u shpreh ai.
Ky komision, i ngritur me nismë të kryeministrit Edi Rama dhe pa praninë e opozitës, u kritikua që në nisje nga Komisioni Europian për mungesë transparence dhe gjithëpërfshirjeje. Por sinjalet e sotme tregojnë se shumica socialiste, e mbështetur nga 83 vota të PS-së dhe tre vota të grupit të Tom Doshit, po përgatitet të rishikojë disa nga ligjet bazë të reformës në drejtësi të miratuara në vitin 2016, një proces i ngjashëm me atë që po ndodh aktualisht në Ukrainë, ku presidenti Volodymyr Zelensky ka nisur një proces për “shkrirjen” e disa strukturave antikorrupsion.
Pavarësisht paralajmërimeve të BE-së dhe SHBA-së për të mos prekur themelet e reformës, sinjalet e shumicës duken të qarta: në shtator, drejtësia do të jetë në qendër të një faze të re, ku Xhafaj do të përdoret si “fytyra teknike” e një manovre që mund të ndryshojë arkitekturën e reformës. “Ka një sërë angazhimesh të institucioneve që nuk janë përmbushur dhe kjo rrezikon notën kaluese për vendin”, deklaroi Xhafaj, duke lënë të hapur skenarin e rishikimeve të thella.
Ky zhvillim hap një debat të madh publik: a po hyn Shqipëria në një fazë ku reforma historike e vitit 2016 po riformatohet sipas nevojave politike të shumicës, apo është thjesht një kontroll “teknik”? Shtatori do të tregojë nëse kemi të bëjmë me korrigjime të ligjeve apo me një “ribërje” të reformës së drejtësisë që e çon vendin në një kurs të ri. /Pamfleti
Lini një Përgjigje