
Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës, Lindita Metaliaj ka kritikuar buxhetin 2025.
Në Komisionin e Sigurisë, ajo u shpreh se qeveria dhe ministria e Mbrojtjes ka dështuar lidhur me problematikat e emergjencës së zjarreve këtë vit.
Lidhur me çështjen e dy prej bazave ushtarake të njohura në vend, deputetja tha se Porti i Shëngjinit dhe baza e Gjadrit po kthehen në “Guantanamo të dyta”, në “kampe burgje” për refugjatë afrikanë, ndërkohë që duhet të ishin destinacione turistike.
“Dy pika të rëndësishme të Lezhës janë kthyer në kamp refugjatësh. Gjadri, nga një prej bazave më të mira ushtarake në rajon, është kthyer si në një burg. Edhe Shëngjini, sidomos porti, nga një zonë që mund të ishte një nga pikat më të mira turistike, është konvertuar në një kamp refugjatësh. Shëngjini është një Guantanamo e dytë. Po depozitohen e magazinohen njerëz të vendeve të treta, që janë fatkeq, që nuk kërkojnë Lezhën, por një jetë më të mirë”, tha Metaliaj.
Ajo hodhi akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama, duke u shprehur se i ka shndërruar dy bazat ushtarake me qëllim pushtetin personal. Deputetja shtoi se Rama po zëvendëson qytetarët e Lezhës me afrikanë.
“Edi Rama për të mbajtur pushtetin e tij, po zëvendëson qytetarët e Lezhës me afrikanë. S’po kërkojnë burg e mur me shtatë metra të lartë me hekura. Shohim anije që vijnë me 16 refugjatë, ikin më pas me 6, vjen një tjetër me 8 refugjatë. Duam një përgjigje për Gjadrin dhe Shëngjinin”, u shpreh deputetja.
Lini një Përgjigje