
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se sot “gjendemi përballë një katastrofe ekzistenciale”.
Gjatë fjalës së tij para protestuesve, lideri i Partisë Demokratike tha se spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh falë Ramës.
Duke iu drejtuar protestuesve të opozitës, Berisha shprehet se plaga më e madhe e shoqërisë sot është largimi masiv i shqiptarëve në 11 vitet e qeverisje së Edi Ramës.
“Largimi i mbi 1 mln shqiptarëve brenda 11 viteve është plaga më e madhe e shoqërisë. Ky dënim iu ka vrarë shpresën dhe çdo ëndërr për vendin, ndaj shpëtimi i vetëm është largimi masiv nga vendi. Edi Rama, shpopullimi masiv e kishte pjesë të axhendës së vet se e do Shqipërinë pa shqiptarë”, tha Berisha.
Berisha tha gjithashtu se Edi Rama nuk mban asnjë përgjegjësi ndaj skandaleve, madje nuk shfaq as pendesë.
“Të mbledhur sot në Tiranë, nga të katër anët e vendit, nga të katër anët e dheut, diaspora dhe kudo që janë shqiptarët.
Një përshëndetje të përzemërt vëllazërore për të gjithë ju.
Të dashur miq, plot dhimbje e sakrifica të pamerituara kanë qenë për opzitën dhe Shqipërinë 11 vitet e fundit të Rilindjes së Edi Ramës.
Asnjë shqiptar përveç hajdutëve dhe trafikantëve të Rilindjes, nuk ka shpëtuar pa marrë plagë në shpirt dhe mendje nga dekada e Edi Ramës, dekada e zbrazjes së Shqipërisë.
Këto plagë do mbeten përjetë shenja mbi ata që i pësuan.
Për shumë familje, kjo plagë ka qenë një familjar që sot do ishte gjallë nëse korrupsioni i Rilindjes nuk do kishte përlarë ilaçet e tyre.
Kjo plagë do dëmtojë shëndetin e 47 përqind të fëmijëve shqiptarë që janë të kequshqyer, më keq se ata të Ruandës.
Kjo plagë do dëmtojë 15-vjeçarët që sipas PISA-s, kanë zbritur në fund të botës për mendimin e tyre krijues.
Kjo plagë ishte një pronë e grabitur, linçim politik nga puna, një fermë apo biznes i falimentuar, ku kishin investuar mundin dhe djersën e gjithë jetës së tyre.
Është ajo plagë që kanë të rinjtë, që me gjithë sakrificat e tyre, nuk mund të sigurojnë as edhe një garsionerë për të filluar jetën e tyre.
Kjo plagë është sa deti për Shqipërinë që sheh veten të boshatisur në 8 vite nga mbi 1 milion bij dhe bija të saj.
Ky dërrmim u ka vrarë shpresën, u ka shuar çdo ëndërr për Shqipërinë dhe me të drejtë, si mund të kultivohet shpresa kur nuk siguron dot ilaçet për të shpëtuar fëmijët apo prindin e sëmurë.
Kur të duhen 109 vite për të blerë në Tiranë një apartament.
Kur nuk siguron dot 3 vakte ushqimi për fëmijën tënd.
Prandaj shpëtimi i vetëm mbetet largimi masiv nga Shqipëria.
Por siç thotë populli ynë, e keqja nuk ka fund.
Shqipërisë i kanoset një kërcënim akoma më ekzistencial, sepse 83 përqind e shqiptarëve që kanë mbetur, duan të ikin.
Pra, gjendemi përballë një katastrofe ekzistenciale.
Miqtë e mi, spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh, sepse Edi Rama vendosi në Shqipëri kushtet e llogaritshme për dëbimin e butë masiv të shqiptarëve nga vendi i tyre”, tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Lini një Përgjigje