
Pas rrëzimit të Erion Veliajt nga Këshilli Bashkiak, Edi Rama ka mbledhur sot në një takim socialistët e Tiranës, ku ishin të pranishëm ministra, deputetë dhe ish-deputetë të PS. Fjalimi i kryeministrit ishte njëherësh sulmues ndaj opozitës dhe mobilizues për strukturat e tij politike, në prag të zgjedhjeve që do të zhvillohen për drejtimin e kryeqytetit.
Në hyrje të fjalës, Rama u ndal tek situata që ka krijuar shkarkimi i Veliajt, duke e shfrytëzuar për të sulmuar kundërshtarët politikë:
“Qoftë tezgat dhe pasqyrat gjysmë të vërtetave ndaj tij, janë tema ku ne nuk mund të hymë si palë, sepse të merresh me karikaturat është humbje kohe, ndërsa të merresh me drejtësinë është humbje busulle. Në një histori drejtësie plotë pikëpyetje, që nuk dihet sa do të zgjasë, mos ta marrë peng kryetar i Shqipërisë”.
Duke e cilësuar Tiranën si “lokomotivën e Shqipërisë”, Rama tha se puna e socialistëve është të adresojnë boshllëkun në krye të bashkisë dhe të përgatiten menjëherë për zgjedhjet: “Puna jonë është të adresojmë pa humbur kohë boshllëkun në Bashkinë e Tiranës, sepse Tirana nuk mund të gdhihet dhe të ngryset pafundësisht me një Tiranë pa kokë, e cila, duke mos pasur një të zgjedhur në krye të saj, mos të ketë mundësinë t’i udhëheqë ata drejt së ardhmes. Sot të nisim punën për zgjedhjet e reja në Tiranë, ku me kandidaten e duhur, me ambicien e duhur dhe me organizimin e duhur do të marrim rezultatin e duhur, për t’i dhënë lokomotivës së Shqipërisë shpejtësinë e duhur”.
Në këtë kontekst, Rama shpalli edhe një herë mbështetjen e plotë për Ogerta Manastirliun si kandidate të PS për Bashkinë e Tiranës, duke e cilësuar si një profil të qetë dhe të aftë për të drejtuar kryeqytetin: “Më vjen shumë mirë që kandidatura e Orgetës ka gjetur mbështetjen e familjes sonë të madhe politike, ku të gjithë e çmojnë kandidaten tonë për Tiranën dhe është radha e saj për ta udhëhequr Tiranën me qetësinë që e ka karakterizuar gjithnjë në detyrat që ka kryer deri tani. Aq e fortë është qasja e Orgetës ndaj bashkisë, saqë aq pak interes ka kush do të jetë rivali i saj nga partitë e tjera, që do të hyjnë të humbur dhe do të dalin akoma më të humbur”.
Lini një Përgjigje