Rama ka njoftuar sot se ka rikthyer bisedat dhe takimet me Fatmir Xhafajn, teksa nuk po i ecën shumë afrimi me Braçen...
Kryeministri Edi Rama ka nisur manovrat për të shuar divergjencat brenda partisë. Edhe pse vëmendja është përqendruar te PD, duket qartë se edhe brenda kampit rozë ka shumë pakënaqësi. Është folur shpesh për klane të krijuara aty, klane të cilat nëse një ditë shpërthejnë, mund të rrezikojnë kryetarin.
Për këtë arsye Rama ka nisur manovrat që të qetësojë raportet me ata që e kritikojnë. Dy prej emrave që nuk janë kursyer dihet që janë Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe. Të dy në disa raste kanë refuzuar të votojnë ligjet e qeverisë dhe madje kanë shfaqur rezerva publikisht. Por Rama sot ka dhënë sinjale se po tenton t’i afrojë.
Fatmir Xhafën Rama e la jashtë vijës së kuqe në zgjedhjet e 2021, pas përplasjeve që patën që kur ai u shkarkua si ministër. Që atë herë Xhafaj nuk ka marrë asnjë pozicion në parti dhe është mënjanur nga Rama.
Vetë deputeti nuk e ka fshehur pakënaqësinë dhe në shumë raste ka qenë kritik. Por Rama sot nga Fieri tentoi të tregonte se raportet mes tyre kanë filluar të qetësohen. Rama teksa fliste për drejtësinë e re, tha se ka pasur komunikime me Xhafajn dhe nuk i fshehu vlerësimet.
“Para disa ditësh po flisja me Fatmir Xhafën, që për një kohë shumë të gjatë ka qenë në tryezat ku është diskutuar drejtësia. Dhe solla dhe një herë Fatmirin këtu se ai ka një zakon të vjetër që mban shënime. I shihni këta që nuk mbajnë shënime, po të ishte ai këtu do mbante shënime. Është zakon. Më kujtoi që ne këtë që bëmë dhe vazhdojmë të bëjmë me drejtësinë e kemi nisur jo kur unë e kam përsëritur shpesh, për programin e 2013, por shumë kohë më parë. Jo si bisedë, e kemi nisur kur në opozitë ne i propozuam qeverisë së asaj kohe një pakt kombëtar për drejtësinë. Ka qenë dokument i propozuar nga PS në 2008. Në 2009 ne nuk fituam dot. Na bëri mirë ajo se mësuam që të fitojmë dhe vetëm fitojmë”, tha Rama duke treguar se ujërat mes tij dhe Xhafajt janë qetësuar.
Por nuk po ndodh e njëjta gjë me Erion Braçen. Rama tentoi sot të afrohet dhe më të, por nuk i eci shumë. Në ambientin ku mbahej Asambleja e PS në Fier, Braçe ishte ulur larg në katin e sipërm. Rama ju drejtua me batuta: “PS mund të ketë bërë gabime të mëdha sepse sa më i madh të jesh, edhe gabimet më të mëdha i bën. Sepse pashë Erionin atje. Po të bëjë unë të njëjtin gabim me Erionin, gabimi im duket më i madh se i Erionit.
Po hajde mor këtu, ç’rri atje. Mu duke si një grup rinor që do të futesh në parti. Erioni rri atje sepse ka hallin e Juventusit. I kam thënë që ka ikur koha jonë si Juventus për këtë periudhë, por po e kompensojmë me fitoret e reja të PS”.
Rama ju drejtua duke qeshur, por në asnjë moment Braçe nuk buzëqeshi, duke treguar se divergjencat vijojnë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje