
Sekretariati i Etikës së Kuvendit ka vendosur të përjashtojë me 10 ditë tre deputetë të Partisë Demokratike.
Pas tensioneve dhe kaosit të shkaktuar ditën e djeshme në kuvend, grupi Parlamentar i PS, në një shkresë drejtuar kryeparlamentares Lindita Nikolla, kërkoi të merren masa disiplinore për 3 deputetë të opozitës, Ervin Salianji, Petrit Doda dhe Edmond Spaho.
Deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren me karrige pak para nisjes së seancës plenare, ndërkohë që deputeti Ervin Salianji pengoi zhvillimin normal të punimeve, ku i ndihmuar nga deputetët Petrit Doda dhe Edmond Spaho ndezi disa flakadanë në sallën e seancave.
Kështu, socialistët kanë vendosur të përjashtojnë nga seancat tre deputetët e Partisë Demokratike.
15 deputetë të Partisë Socialiste mblodhën firmat për të kërkuar përjashtimin e kolegëve të tyre të opozitës. Në shkresë, është kërkuar përjashtimi për Ervin Salianjin, i cili sipas PS është ndihmuar dhe nga dy deputetët e tjerë Petrit Doda dhe Edmond Spaho.
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se të përjashtuar nga mbledhja online e sekretariatit janë deputetët Saimir Koreshi dhe Bledion Nallbati, për shkak të trazirave të seancës së kaluar.

Lini një Përgjigje