
Ka përfunduar mbledhja dy ditore informale e qeverisë në Tepelenë. Kryeministri Edi Rama tha se imazhi i Shqipërisë në botë ka ndryshuar, ndërsa theksoi se është rritur interesi i investitorëve të huaj për të investuar në vendin tonë.
“Imazhi i Shqipërisë në botë është i përmbysur tërësisht derisa sa jo shumë vite më parë. Ajo që shohim nga brenda është rritja e interesit të investitorëve të huaj, nuk flasim për projekte të fokusuara vetëm në sektorin e energjisë, flasim për investitorë të mëdhenj në fushën e turizmit, teknologjisë të cilët deri para jo shumë vite më para s’do e konsideronin Shqipërinë si një mundësi për të zgjeruar biznesin e tyre”, u shpreh Rama.
Kujtojmë se dy ditë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për ekonominë dhe klimën e biznesit në Shqipëri.
Sipas DASH, paratë e pista të drogës po shtrembërojnë konkurrencën në Shqipëri. Departamenti Amerikan i Shtetit e konsideron korrupsionin në vend si sistemik, ndërsa nuk kursen akuzat e drejtpërdrejta për qeverinë.
“Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Investitorët raportojnë shpesh raste të korrupsionit qeveritar, që vonojnë dhe pengojnë investimet në Shqipëri. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare me entitete publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar", thuhet në raportin e DASH.
Rama ka kundërshtuar raportin e DASH, duke hedhur poshtë akuzat.
Lini një Përgjigje