
Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar deri diku kandidatin e pavarur në Sarandë, Gjergj Mërkuri. Ky i fundit dikur ishte pjesë e PS, por kohët e fundit ka pasur mosmarrëveshje me ta dhe vendosi të dalë i pavarur. Si duket kjo e ka shqetësuar Ramën dhe ai sot i bëri thirrje të tërhiqet nga gara.
“Nuk ka asnjë këtu që është në këtë shesh, nuk ka asnjë këtu që nuk është në këtë shesh dhe që nuk e do kthimin mbrapa, që është dakord me atë që po bën Gjergji aktualisht. Hatërmbetja nuk është këshilltar i mirë. Aq më pak pastaj, dalja në anën tjetër të rrugës pavarësisht se të kanë rënë në qafë. Gjergjit i kanë rënë në qafë, por tani Gjergji nuk duhet t’i bjerë që qafë të gjithë PS, të gjithë atyre që janë këtu dhe mbi të gjitha nëse askush nuk gëzohet për ata që bën Gjergji, janë ata tjerët që gëzohen. Kështu që unë Gjegjin do ta ftoja të gjejë arsyen brenda vetes dhe nëse për një arsye ose një tjetër e ka të pamundur që ta ulë pak kokën, të paktën ta mbyllë fushatën. Ta mbyllë fushatën dhe të presë përfundimin e fushatës më 14 maj, të presë fitoren e Oltit dhe të PS dhe pastaj të kthehet në PS të ulemi në tavolinë t’i diskutojmë gjërat. Ata që kanë rënë në qafë ta pranojnë fajin që kanë bërë, Gjegji ta pranojë fajin që po bën, të bashkohemi dhe vazhdojmë përpara. Ndërkohë të gjithë atyre që i kanë thënë Gjergjit vazhdo përpara se ne do vijmë pas teje, që janë të majtë dhe që janë njerëz që duan Sarandën u them ndihmojeni Gjergjin të mbyllë fushatën dhe ka vetëm një drejtim më 14 maj, drejtimi është tek kandidati ynë dhe tek PS. Çdo gjë tjetër është gabim i madh që për një njeri si Gjergji bëhet edhe faj. E kuptoj mirë Gjergjin, i kuptoj edhe ata që kanë arsye për të qenë të hatërmbetur. Në zyrat tona të qeverisë qendrore nëpër qytete kemi njerëz që nuk jemi krenarë, ata njerëz jo vetëm që nuk janë të denjë për PS, për qytetarët që e kanë besuar PS, por ata njerëz janë arsye për t’u skuqur ne të gjithë. Ama zgjidhja nuk është ajo që ka gjetur Gjergji bashkë me ata që e mbështesin. Zgjidhja është të vazhdojmë të këmbëngulim këtu së bashku dhe t’i përmirësojmë gjërat sëbashku”, u shpreh Rama.
Lini një Përgjigje