Rama tha se Veliajn e morën nga detyra, duke i ndërprerë kontratën që ai kishte me qytetarët e Tiranës
Kryeministri Edi Rama ka folur sërish mbrëmjen e sotme për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Ai mori pjesë sot në aktivitetin e zhvilluar nga bashkia për 105-vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet.
Rama tha se SPAK dje ka kaluar çdo limit. Sipas tij ai u arrestua 3 muaj para zgjedhjeve, ndërkohë që nuk kishte asnjë lloj emergjence. Sipas tij, SPAK ka një vit që heton mbi letra anonime dhe ngriti pyetjen se përse veproi tani.
“Ajo që ndodhi dje ka kaluar çdo limit, në raport jo me të drejtën absolute dhe gjithmonë drejtësia është mbështetur për të hetuar dhe çuar para drejtësisë këdo, pa parë majtas dhe djathtas. Por në raport me ndarjen e domosdoshme të pushtëve dhe me domosdoshmërinë që një pushteti të zgjedhur t’i japësh mundësinë të ushtrohet gjithë kohën që hetohet dhe gjykohet”, tha ai.
Ai tha se Veliajn e morën nga detyra, duke i ndërprerë kontratën që ai kishte me qytetarët e Tiranës. Rama tha se Veliaj u fut në burg pa gjyq.
“Kryetari i Bashkisë, i zgjedhur nga çerek milionë zgjedhës, për të drejtuar kryeqytetin dhe për të realizuar një kontratë të tijën me qytetarët e Tiranës, kjo kontratë u ndërpre, nga dikush që nuk e njohim. Kryebashkiaku u mor në burg pa gjyq”, tha Rama.
Më tej ai përmendi faktin që Veliaj u arrestua para zgjedhjeve, duke thënë se diçka e tillë është jo normale.
“E kam të pamundur të mos e lidh faktin që përndizet një situatë. Zhvillohet një linçim publik dhe pastaj bëhet një heqje nga shpatullat e kokës së kryeqytetit tre muaj para zgjedhjeve, nuk po inicioj asgjë, por po them që për mua kjo nuk është normale. Nuk ka një flagrancë. Nuk ka një rrezik shoqëror. Ka një hetim për jetën e kryetarit të bashkisë. Sa një gjë e tillë është në shinat e Kushtetutës së Republikës nuk më takon mua, por dyshimi është që është jashtë shinave. Ne sot vetëm një idiot, i pafytyrë mund të thotë që drejtojmë drejtësinë”, vijoi Rama.
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar edhe prokurorin Olsi Dado, i cili firmosi arrestimin e Erion Veliajt. Sipas tij, shifra që doli se bashkëshortja e Veliajt ka blerë fustane e bizhuteri me vlerë mbi 800 mijë euro është bërë publike në mënyrë të qëllimshme. Po ashtu ai tha se prokurori ka tejkaluar limitet me dëshmitarët.
“Ne kemi të drejtën të kërkojmë provat dhe kemi të drejtën të themi se hedhja e kësaj shifre në mexhelis është e qëllimshme, për të ekzaltuar masën që kërkon plaku. Dhe nga ana tjetër për të krijuar një situatë ku të jetë e pamundur të diskutosh. Gjithësesi ne do ta ndjekim me shumë kujdes këtë proces. Ua thashë se unë jam bërë ndjekës i vëmendshëm sepse jam gjendur padashje në kushte që duhet të dëgjoja disa njerëz të artit. Nuk janë fare këta që janë në këto lista. Ata janë njerëz të artit qa kanë par picir në hetimet apo intervistimet me këtë prokuror që realisht unë do të doja të bindte këdo me prova. Mbase i ka. Por a ka apo nuk ka, metoda është e papranueshme”, tha Rama.
Rama po ashtu dërgoi dhe një mesazh për drejtësinë, duke deklaruar se nuk do të lejojë të ketë Republikë Prokurorësh.
“Këto nuk janë shenja aspak të mira. Unë dua të shpresoj që nuk janë shenja që lidhen me simtomat e një sëmundjeje vetëbesimi. E dua të besoj tek ajo që kam thënë. E i qëndroj se kjo nuk është Republikë Prokurorësh që është në materializimin e saj përfundimtar sepse do të ishte autogoli më i madh që me vullnet të mirë dhe me sy mbyllur do ta bënim duke transformuar drejtësinë”, tha ai./Pamfleti
Lini një Përgjigje