
Analisti dhe gazetari i njohur që prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka bërë një “skaner” situatës politike shqiptare. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Demalia ka folur për dyshen anti-amerikane Meta-Berisha, të cilët i ka vënë flakën vendit sa herë kanë patur hallin e vet.
Demalia, koalicionin e tyre ndryshe e ka quajtur një koalicion “tranvestit”, i cili është për të treguar tek perëndimorët dhe amerikanët që këta janë faktor dhe mund të destabilizojnë vendin në qoftë se do t’i venë në bankën e drejtësisë si të akuzuar dhe do t’i marrin mallin e grabitur që kanë me forcën e pushtetit. Sipas analistit Demalia, kjo skemë e tyre nuk do të funksionojë në qoftë se do të funksionojë drejtësia. Ai gjithashtu në fund të intervistës ka komentuar dhe situatën brenda Partisë Socialiste. Sipas tij, qeverinë Rama, po e gërryen korrupsioni galopant në administratë.
-Zoti Demalia, si e shikoni aleancën “Meta- Berisha” sa i takon zgjedhjeve lokale të 14 majit dhe pse ata janë bërë bashkë?
Kjo aleancë në mes dy politikanëve që prej 32 vjetësh kanë qenë në majat e pushtetit dhe kanë sunduar jetën politike të tre dekadave, për një njeri me pak respekt për veten, me pak integritet për veten, me një minimum morali qytetar nuk duhet ti besohet dhe të merren seriozisht. Në të kundërt duhen braktisur me neveri. Pse? Referojuni akuzave që i kanë bërë njëri-tjetrit, Berisha ndaj Metës: vrasës, trafikant i drogës, armëve, vajzave të mitura për prostitucion, përfaqësues i klanit më të rrezikshëm të trafiqeve në botë dhe vjedhës i Thesarit-Shtetit, përfaqësues i votave të krimit... Meta për Berishën: do ti shkel me këmbë rrugaçët dhe banditët e kryekapobandës Sali Berisha. Ky njeri lau në gjak Tropojën, ky dhëndër i Serbisë, Doktor, për ty bëj çdo sakrificë, por për Zenin, jo! Njëherë e kam dhënë për Zenin, vrasës i Gërdecit me Zenin dhe familjen ... Aleanca Meta- Berisha është një aleancë e rrugëtimit 30 vjeçar të postkomunizmit ose tranzicionit që ka mbaruar në rrënimin total të shtetit, që e kanë sjell politikën shqiptare dhe shoqërinë në këtë gjendje ku është sot. Shqiptarët sot nuk kanë as minimumin e shtetit të së drejtës dhe as minimumin e zhvillimeve demokratike dhe të një media të lirë. Shqipëria si shkak i këtyre politikanëve që sundojnë vendin me bandat e tyre me sigla partish si prona familjare, e kanë kthyer Shqipërinë në një vend, ku e vetmja e ardhme është largimi. Kjo është një aleancë për të mbrojtur fitoret e arritura të familjeve të tyre me korrupsionin galopant dhe krimin. Aleancë qe luan me dy këmbë por me një palë këpucë transvertisiteti politik .
-Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim dhe Sali Berisha janë përplasur në distance. Berisha e akuzon ambasadoren si te korruptuar dhe i kërkon DASH që e ka shpallur "non grata" ta hetojë diplomaten. Ndërkohë që ambasadorja e ka krahasuar Berishën me një piroman që i ka vene zjarrin Shqipërisë dhe iu ka bërë thirrje shqiptareve të distancohen prej tij. Keni një koment?
Përplasja e Berishës me Ambasadoren Kim, nuk është ndonjë gjë e re sepse ai ka pasur përplasje më të gjithë ambasadorët amerikan. Kjo përplasje nuk ka qenë dhe as është për sovranizmin siç pretendon sot "konservatori" Berisha dhe as për zhvillim të hapësirave demokratike. Në një kohë që ky "konservator" dhe "sovranist" bën aleancë me “Kalin e Trojës” në Shqipëri, Vangjel Dulen, duke vendosur në Himarë një filo-grek që ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Peshkpisë në Gjirokastër në 1995 dhe më shfaqje dhe pretendime të hapura se Himarë është tokë greke, tregon qartë “sovranizmin” e tij. Berisha është një falsifikator, manipulator, demagog tipik me formim të patjetërsueshëm komunist. Akuzat ndaj Ambasadores Kim janë të rënda. Ambasadorja Kim pavarësisht etikës diplomatike të tejkaluar që ka shkelur në përkrahjen e hapur që ka bërë ndaj qeverisë Rilindjes, ajo kurrsesi nuk ka bërë një politikë personale me Berishën apo me Partinë Demokratike, por ka ndjekur vijën politike të Amerikës. Amerika ka vendosur që ti presin fijet korrupsionit në vendet e Evropës Lindore dhe sidomos në Ballkanin Perëndimor ku SHBA ka interesa vitale gjeopolitike ku bën pjesë edhe Shqipëria. Korrupsioni lidhja me paranë kriminale dhe interesave të fuqive që janë kundër interesave të SHBA dhe NATOS, minon funksionimin e demokracisë dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës siç po e shikojmë defakto në Shqipëri dhe Ballkan, ku po forcohen gjithnjë e më shumë regjimet autoritariste. Kjo ka bërë që Amerika të ndëshkojë njerëzit e korruptuar që janë politikanët kryesor në Shqipëri ku përfshihet Berisha - Meta, por edhe socialistët që janë në pushtet. Koalicioni tranvestit Meta-Berisha është për të treguar tek perëndimorët dhe amerikanët që këta janë faktor dhe mund të destabilizojnë vendin në qoftë se do t’i venë në bankën e drejtësisë si të akuzuar dhe do t’i marrin mallin e grabitur që kanë me forcën e pushtetit. Por kjo mendoj nuk do të funksionojë në qoftë se do të funksionojë drejtësia.
-Si ju duket qeveria “Rama” dhe si ka mundësi që pavarësisht skandaleve, PS votohet dhe qeveris vendin prej 10 vitesh në rrafshin qendror dhe lokal?
Qeverinë Rama, po e gërryen korrupsioni galopant në administratë. Gjendja e kësaj qeverie po shkon drejt një tatëpjete që duhet ndaluar sa më parë , ose më saktë duhet të ndalohet vetëm duke vepruar drejtësia, që duket e largët. Unë mendoj se e gjithë kjo situatë do të shkoj në favor të qeverisë së rilindjes pasi alternativa Meta-Berisha është një koalicion nuk kanë besueshmëri as të shqiptarëve dhe as të SHBA dhe perëndimorëve si alternative. Kjo është në favor të Ramës si më përshtatshëm për stabilokracinë që i intereson SHBA si shkak i mungesës së një alternative tjetër të besueshme Në Shqipëri nuk po shihet një alternativë e re politike. Kjo vjen edhe nga pajtimi i popullit me të keqen politike dhe pranimin e sajë, por edhe në shërbim të bandave politike. Me ndryshimet kushtetuese te vitit 2008 Berisha-Rama, kanë mbyllur mundësinë për hapësira alternative. Një situatë e tillë do të vazhdoj dhe me tej lëngatën e shqiptarëve si mospërgjegjësi edhe e vetë shoqërisë shqiptare që i hap udhë dhe i ka si model këta bandite politikë me sigla partish.
Lini një Përgjigje