Pezullimi i Ballukut dhe pagat e gjyqtarëve, dy çështjet që shqyrton Kushtetuesja në Janar
Viti 2025 po mbyllet me shumë halle për qeverinë. Vërtet Edi Rama mori mandatin e katërt, por duket se ky mandat nuk do të jetë aspak i lehtë. Kjo jo për shkak të opozitës, por për shkak të Prokurorisë së Posaçme. SPAK gjatë vitit 2025 i ka dhënë 3 goditje fatale qeverisë. I pari ishte arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, më pas marrja e pandehur e zv/kryeministres Balluku dhe së fundmi akuzat ndaj AKSHI-t.
Rama nesër do të dalë para gazetarëve në konferencën e fundvitit dhe me shumë mundësi do të dëgjojmë atë që kemi dëgjuar deri tani, ku do të tentojë të luajë me dy porta: Nga njëra anë siluron drejtësinë dhe nga ana tjetër mburret se ai mbështet reformën në drejtësi.
Por edhe viti 2026 do të nisë me ‘dhimbje koke’ për Ramën. Kryeministri dërgoi në Kushtetuese vendimin e GJKKO për të pezulluar nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Transportit Belinda Balluku. Çështja do të shqyrtohet në seancë plenare më 22 janar dhe nga kjo çështje do të varet jo vetëm fati i Ballukut, por e ardhmja e luftës antikorrupsion.
Për shkak të këtij vendimi, mazhoranca ka bllokuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve, mbi kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin Ballukut. Nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë qeverisë, me gjasë kërkesa e SPAK do të rrëzohet dhe sinjali do të jetë i qartë për prokurorinë që të mos ngatërrohet më me deputetët apo ministrat.
Por 2 ditë para kësaj çështjeje, Kushtetuesja do të mblidhet për një tjetër çështje që ka sjellë “dhimbje koke” për Ramën. Më 20 janar do të shqyrtohet kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave të gjyqtarëve. Rama i ka sulmuar disa herë gjyqtarët për këtë çështje, madje dhe para pak ditësh. Po ashtu i ka ushtruar presion edhe Kushtetueses që të mos e pranojë kërkesën e tyre.
Përplasja mes gjyqësorit, ekzekutivit dhe Parlamentit për përllogaritjen e pagave të magjistratëve nisi në vitin 2019, kur Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se përllogaritja e pagave të gjyqtarëve, bërë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ishte e gabuar dhe se gjyqtarëve po u mbahej një pjesë e pagës që u takonte, në bazë të ndryshimeve ligjore të vitit 2016.
Parlamenti ndërhyri në vitin 2021 në ligj dhe bëri ndryshime të tilla që normuan si të drejtë llogaritjen e bërë nga KLGJ-ja dhe anashkaluan propozimet e KLSH-së. Këto ndryshime u panë nga gjyqtarët si ulje page dhe shkelje e nenit 138 të Kushtetutës, ku për të ruajtur pavarësinë e gjyqësorit, nuk lejohen ndërhyrje të kësaj natyre. Unioni kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve dhe Gjykata Kushtetuese vendosi në vitin 2022 ta pranonte padinë, duke shfuqizuar nenet e ndryshuara të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” mbi pagën referuese. Kushtetuesja i kërkoi Kuvendit të rishihte ligjin dhe të qartësonte referencën për pagën e magjistratëve.
Në vitin 2023, Kuvendi bëri ndryshime të reja, nisur nga vendimi i Kushtetueses, duke e lidhur pagën e magjistratëve me atë të Presidentit të Republikës. Ky ndryshim solli rritje të pagave të magjistratëve, siç parashikohej në ligjet për reformën në drejtësi, dhe rriti me 570 lekë edhe pagën referuese. Në të njëjtën kohë u miratuan edhe ndryshimet në pagat e administratës civile, të cilat u rritën disa herë.
Gjyqtarët, paga referuese e të cilëve lidhej tani me atë të Presidentit, nuk përfituan nga kjo rritje pagash. Për Unionin e Gjyqtarëve, këto ndryshime bien ndesh me nenin 138 të Kushtetutës.
Unioni interpreton se shkëputja e pagës së gjyqtarëve nga administrata civile dhe mos përfitimi prej tyre i rritjeve që u bënë pagave të administratës sjell në një mënyrë “një ulje faktike të pagës, pavarësisht se, formalisht, paga nuk është ulur, madje është rritur me 570 lekë”. Unioni thotë se me ndryshimet e sistemit të pagave në vitin 2023, magjistratëve u mohohet një rritje page prej 78 mijë lekësh. /Pamfleti
Lini një Përgjigje