
Endrit Brahimllari ka reaguar pas deklaratës së kreut të PL-së Ilir Meta, i cili tha se mbahet në izolim për shkak të firmave të Braimllarit lidhur me çështjen e lobimit.
Ish-bashkëpunëtori Endrit Braimllari e ka konsideruar këtë deklaratë si një përpjekje për të intimiduar dhe goditur imazhin e tij. Ai e cilëson sulmin e Metës si një tentativë për të hequr vëmendjen nga problemi i tij i vërtetë me drejtësinë.
“Përpjekje e qartë për të më intimiduar dhe për të goditur imazhin tim publik. Nxjerrja e materialeve hetimore nga dosja i shërben tërheqjes së vëmendjes nga problemi i tij i vërtetë me drejtësinë”, thotë Braimllari.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, sqaron se nuk ka firmosur asnjë kontratë lobimi gjatë kohës kur ka qenë në këtë detyrë, ndërsa për faturën që ka publikuar Ilir Meta thotë se është një procedurë e ligjshme, e paguar përmes shërbimeve bankare, e deklaruar në KQZ dhe e audituar nga KQZ.
“Endrit Braimllari nuk ka firmosur asnjë kontratë lobimi. Fatura që i referohet është një procedurë e ligjshme, e paguar me bankë, e deklaruar në KQZ dhe e audituar nga KQZ. Ai e di shumë mirë që po hetohet për mosdeklarim. Duhet ta dijë qartë që nuk përbën shkelje të ligjit kur deklaron shpenzimet dhe burimet e tyre të ligjshme. Në dijeninë time partia ku unë aderoja më parë ka pasur lobime vetëm në kohën kur Z.Meta ka qenë kryetar partie”, shton Braimllari.
Akuzat e adresuara nga Ilir Meta për ish-Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, Endrit Braimllari erdhën pas emërimit të tij si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Lini një Përgjigje