TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Qershor 2025, 09:46

Prapaskena/ Intriga “Soros”: Rama, nga i kërcënuar në krushk i parë i Alex

Shkruar nga Pamfleti

Nga Sorosi te Clintonët: Si Edi Rama çmontoi rrjetin e Veliajt dhe u rikthye në lojën e madhe ndërkombëtare

Prapaskena/ Intriga “Soros”: Rama, nga i kërcënuar në
Nga e majta: Edi Rama, Huma Abedin, Linda Rama dhe Alex Soros /

I afruar në politikë nga George Soros dhe i sfiduar më pas nga Veliaj me bekimin e Alexit, Rama e ktheu krizën në avantazh, duke përgatitur arrestimin e rivalit dhe duke u bërë “krushk” i aleancës Clinton–Soros për të rifituar mbështetjen amerikane.

Për të kuptuar lëvizjet e brendshme në një grupim politik shqiptar, sidomos në faza krize ose tranzicioni, duhet parë gjithmonë konteksti ndërkombëtar që e ushqen ose e kontrollon atë. Në Shqipëri, si në shumë vende të Ballkanit, vendosja dhe rrëzimi i liderëve nuk ndodh në vakum. Prapa çdo ngjitjeje në pushtet, ka pasur gjithmonë një kancelari që ka mbështetur, dhe pas çdo largimi me stërkëmbësha, me skandale apo me arrestime, ka qenë dora e heshtur e ndonjë fuqie të madhe.

Historia e liderëve në rajon është e ngjashme: Sali Berisha erdhi në pushtet me mbështetjen e amerikanëve dhe u rrëzua pikërisht prej tyre, jo një, por dy herë. Nikola Gruevski, një tjetër i preferuar i perëndimit për vite me radhë, u rrëzua dhe u shpall i padëshiruar nga SHBA dhe Gjermania, për t’u strehuar më pas te Viktor Orbani.

Milo Gjukanoviç, i mbajtur me kujdes nga Perëndimi për tri dekada, u nxor jashtë kur kaloi vijën e kuqe të tolerancës.

Ilir Meta, për një kohë i favorizuar i amerikanëve, përfundoi në listën e të padëshiruarve. Ndërkohë, Albin Kurti erdhi në pushtet me mbështetje të drejtpërdrejtë të Berlinit, në një proces të paralel me arrestimin e Hashim Thaçit dhe gjithë kupolës së UÇK-së nga strukturat ndërkombëtare, të shtyra nga demokratët amerikanë dhe kancelarja Merkel.

Në Serbi, skema është edhe më e ashpër: Slobodan Millosheviç u rrëzua nga perëndimi, u arrestua nga Zoran Gjingjiç, i mbështetur nga SHBA dhe BE, dhe më pas Gjingjiçi u vra nga strukturat ruse, përmes infiltrimit në eskortën e tij.

As Edi Rama nuk është jashtë këtij cikli. Ai nuk hyri në politikë rastësisht, por u fut me insistimin e George Soros, përmes Fatos Nanos, i cili u detyrua ta përfshinte në kabinet pas presioneve të ashpra për korrupsion në vitin 1998.

Rama ishte drejtuesi i parë i Fondacionit Soros në Shqipëri, dhe me anë të këtij pozicioni krijoi rrjetin e vet politik dhe lobues, që e ndihmoi të ngjitet hap pas hapi.

Me hyrjen në politikë si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Rama ishte i pari që punësoi këshilltarë ndërkombëtarë, përfshirë emra të afërt me Tony Blair, si dhe figura të paidentifikuara, përfshirë një hebreo-amerikan misterioz, i veshur si rabin ortodoks, që e shoqëronte në terren.

Në çdo fushatë, Rama ka pasur lobim të fortë ndërkombëtar dhe këshilltarë amerikanë, ndërsa lidhja e tij me George Soros dhe më pas me Alex Soros ka qenë boshti i strategjisë ndërkombëtare që e mbajti për shumë vite. Me Sorosin ka pasur lidhje të drejtpërdrejta edhe bashkëshortja aktuale, Linda Rama, të cilën e njohu në bordin e “Open Society” në Tiranë.

Por me kalimin e viteve, George Soros nisi të ndërtonte një plan rezervë: Erion Veliajn. Veliaj ishte i afërt me Ramën që në protestat e “Mjaft!” për rrëzimin e Fatos Nanos, dhe më pas u fut në PS me mbështetjen direkte të Sorosit, i projektuar si kandidati amerikan për Tiranën. Në 2015, Rama ia tha hapur Ilir Metës: “Kjo kandidaturë na ka ardhur nga përtej oqeanit”.

Me kalimin e viteve, Veliaj u bë gjithnjë e më i afërt i Alex Sorosit, një lidhje që shkaktoi pakënaqësi të qartë në kryeministri. Alexi frekuentonte Veliajn më shumë se Ramën, dhe këtë “dendësi” Rama e pa si sinjal alarmi. Mediat pranë Edit nisën të godasin Veliajn për “videot propagandistike”, ndërkohë që ai nuk ndodhej në vendngjarje. Kjo nuk ishte thjesht satire, ishte luftë e brendshme për kontrollin e lobit ndërkombëtar.

Kulmi u arrit në shkurt 2024, kur gjatë vizitës së Antony Blinken në Tiranë, përveç Ramës, i vetmi politikan që takoi ishte Erion Veliaj tek Piramida, në prani të Alex Sorosit. Kjo e tronditi Ramën, i cili u informua privatisht nga vetë Blinken se duhet të fillonte përgatitjen për largim nga drejtimi i qeverisë dhe PS-së.

Rama e kuptoi mesazhin. Filloi të fliste për poste ndërkombëtare, si NATO e BE, për të ushqyer idenë se do të largohej vetë. Por në heshtje, përgatiti kundërsulmin. Në prapaskenë, nxori nga mënga Nesti Angonin, një njeri besnik dhe të padukshëm, të cilit i dha detyrën për të përgatitur “dosjen Veliaj”.

Në shkurt 2025, Erion Veliaj u arrestua në zyrën e tij, sipas skenarit të ndërtuar një vit më parë, me kallëzim të Nesti Angonit në SPAK.

Ndërkohë, gjatë krizës afgane, Rama afroi në orbitën e tij Huma Abedin, ish-dorë e djathtë e Hillary Clinton. Përmes saj, mori disa gra afgane në Shqipëri dhe mori një çmim nga “Vital Voices”, organizata e Hillary-t. Në atë moment, Rama bëri një nga lëvizjet më të rafinuara: bashkoi Abedin me Alex Sorosin, dy figura të forta në botën e lobit demokrat. Thuhet se ai vetë ka qenë “mblesi” i lidhjes së tyre, e cila u vulos më 4 korrik 2024, në ditëlindjen e Ramës në Tiranë, me pjesëmarrjen e Bill Clinton dhe çiftit të ri.

Në dasmën e Alex dhe Huma-s në Nju Jork, Rama ishte “krushku” kryesor, me fjalim të veçantë si “mblesi i familjeve Clinton–Soros”. Kjo lidhje e re, e papritur, e vendosi Ramën sërish në një pozicion të fortë ndërkombëtar, duke neutralizuar përkohësisht afrimin e Veliajt me Alexin.

Ndërkohë që Obama dhe lobistët e tij mungonin në festë, grupi i Biden ishte i përfaqësuar me Kamala Harris, ndërsa Yuri Kim, ndihmësja më e afërt e Blinken thuhet se ishte e përfshirë në gjithë këtë konfigurim të ri.

Ndërkohë, Veliaj kishte kohë që nuk shfaqej më në orbitën e Alex Sorosit. Pas arrestimit, nuk mori asnjë mbështetje, asnjë shenjë solidariteti. Edi Rama e kishte izoluar plotësisht dhe kishte filluar një spastrim të heshtur në rrjetin e “Open Society” në Shqipëri, për të zhdukur çdo element që mund të ishte lidhje e hershme me Erion Veliajn dhe për të ruajtur kontrollin e tij absolut mbi lobin ndërkombëtar të majtë./Pamfleti

intriga soros edi rama krushku i parë i alex

Lini një Përgjigje