TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Maj 2023, 12:27

Puthjet, asfalti e çakëlli elektoral ndaluan si me buton; shihemi në 2025!

Shkruar nga Pamfleti
Puthjet, asfalti e çakëlli elektoral ndaluan si me buton; shihemi
Asfalt elektoral

Pas 14 majit, banorët që dhanë votën te hajdutët dhe mashtruesit e të dy krahëve, po shikojnë atë që meritojnë: demagogjinë në rrugët gjysmë me çakëll e gjysmë me baltë, gjysmë me asfalt të ri e gjysmë me asfaltin e fushatës 2019, në pritje të fushatës së zgjedhjeve 2025

Një nga shtyllat e propagandës e demagogjisë së pushtetit gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, ishin përafrimet e puthjet me popullin dhe aksionet “non stop”, për asfaltimin dhe shtrimin me çakëll të rrugëve e rrugicave në qytete dhe fshatra.

Për 2 muaj, qendrat e banimit u kthyen në kantiere ndërtimi, që financoheshin nga pushteti e ilegalisht nga oligarkët, dhe drejtoheshin nga krye bashkiakët kandidatë, nga kandidatët e rinj, drejtuesit politik si dhe deputetët e PS.

Pas 14 majit, qytetet e fshatrat kanë rënë në qetësi të plotë ditën e natën; pa prezencë politikanësh e pa mitingje tallavaje; pa trokitje te dera e jargosje për vota; pa zarfe parash, pa furgonë  ushqimesh e pa kacafytje patronazhistësh; pa tym e erë asfalto -betoni dhe pa zhurma kamionësh e fadromash.

Pas gjithë asaj zallamahie e demagogjie të shpëlarë, të atyre që mbajtën pushtetin dhe atyre që donin ta merrnin, banorët në fshatra e qytete nuk po i shikojnë më të vërdallisen nëpër lagje, në rrugica dhe te dyert e shtëpive me përulje si “engjëj”.

Por pas 14 majit, banorët që dhanë votën te hajdutët dhe mashtruesit e të dy krahëve, po shikojnë atë që meritojnë: demagogjinë e mbetur mbi rrugët dhe rrugicat gjysmë me çakëll e gjysmë me baltë, gjysmë me asfaltin e ri të 2023 e atë të shkatërruar të fushatës 2019.

Shikojnë dhe e dinë, që punët elektorale të lëna në mes si me “buton” pas marrjes së votave më 14 maj 2023, do vijnë t’i vazhdojnë në fushatën e zgjedhjeve 2025, siç veprojnë prej 30 vitesh./Pamfleti

asfalt elektoral shihemi në 2025

Lini një Përgjigje