TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Korrik 2023, 12:53

Pse SPAK prej 3 vitesh e shmang “aligatorin” e korrupsionit Ilir Beqja; kur “tigrin” e rrëzoi për 3 muaj

Shkruar nga Pamfleti
Pse SPAK prej 3 vitesh e shmang “aligatorin” e korrupsionit Ilir
Ilir Beqja dhe Arben Ahmetaj

Dy fytyrat e SPAK/ Ish-ministri Arben Ahmetaj firmosi një shkresë dokortësie “Në parim” për landfillin e Tiranës dhe është marrë i pandehur e me kërkesë për arrest; ndërsa ish-ministri Ilir Beqja që bëri propozimin dhe firmosi gjithë dokumentacionin për 3 PPP-të e shëndetësisë me vlerë 380 milionë Euro, është ende i lirë...

Tashmë, ish- ministri i Financave, Arben Ahmetaj, është subjekt hetimi i SPAK me statusin e të pandehurit dhe me kërkesë për heqje imuniteti e arrest, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, mbështetur në një shkresë me objekt dhënie dakordësie “Në parim” për ngritjen e landfillit të Tiranës dhe dyshime për përfitime nga Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.

Pra, nuk ka veprim, por vetëm mendim, siç dha mendim “Në parim” edhe Erjon Veliaj e nuk po hetohet; ndërsa vendimi për landfillin është marrë kolegjialisht në qeveri, duke filluar nga Sekretari Engjëll Agaçi që përgatiti projekt-vendimin, 15 ministrat që e votuan, kryeministri Edi Rama që e paraqiti për miratim dhe firmosi zbatimin.

Duket sikur në rastin e Arben Ahmetajt, krahasur me rastin ish-ministrit Ilir  Beqja, ka lëvizje me regji klanesh politike brenda e jashtë pushtetit dhe “bie “erë” klientelizëm e me dy standarde në veprimet goditëse të SPAK, i cili ka detyrim ta sqarojë.  

P.sh., brenda 3 muajsh, SPAK mbylli hetimet e bëri sekuestro për ish-ministrin Arben Ahmetaj, si dhe mori vendim për arrestin e tij, gjë që është për t’u përshëndetur, por me këtë standard shpejtësie duhet të veprojë për të gjithë qeveritarët që kanë “ngrënë dardha”, paçka se kryeministri që është “roja i dardhave” e hiqet sikur nuk i paska parë.

Po ky SPAK, ka 3 vite që ka nisur hetimet për ish-Ministrin i Shëndetësisë, Ilir Beqja, me akuzën për “Shpërdorim detyre” në shkelje procedurash, dhënie pa garë, falsifikim kontratash e trefishim kostosh për 3 PPP mjekësore në vlerë totale 380 milionë Euro.

Provat për ish-ministrin Ilir Beqja janë konkrete me shkresa zyrtare, ndërsa shteti vazhdon paguan çdo vit nga 13 milionë Euro për PPP “Check-up” të Vilma Nushit, dhe nga 9 milionë Euro në vit për PPP Laboratorët e Janis Karathanos e Pajisjet Kirurgjikale dhënë fiktivisht emigrantit Ilir  Rrapaj.

Gjatë 3 viteve hetime, Ilir Beqja është thirrur vetëm 1 herë nga SPAK më 18 korrik 2022, ndërsa qysh atëherë ka kaluar 12 muaj dhe nuk është thirrur më, madje ndaj tij nuk ka nisur as procedim penal, megjithëse ka prova të plota zyrtare të krimit ekonomik me 3 PPP mjekësore.

Drejtuesi Altin Dumani hesht, megjithëse e di që dosjet për Ilir Beqjen i kanë bllokuar 3 prokurorët Elida Kaçkini, Edvin Kondili e Eneid Nakuçi, duke mos kryer asnjë veprim hetimor, ndërkohë që me 18 prill 2023 ka kaluar afati i parashkrimit dhe thuhet se çështja është pushuar në heshtje.

Nëse nuk është e vërtetë, Altin Dumani duhet të sqarojë këtë fakt: Prej 3 vitesh, SPAK ka në dorë dosjet me prova të Ilir Beqjen; mirëpo nuk e arreston, megjithëse ai nuk është deputet dhe nuk kërkohet leje për arrestimin e tij, por siç duket nuk është dhënë akoma leja nga Babloku, i cili e ka emëruar Drejtor Donacionesh në Kryeministri.

Nëse nuk e ndalon dhe nuk e dirigjon Babloku, çfarë e pengon SPAK-un të prangosë edhe kryehajdutin Ilir Beqja?!/Pamfleti

ilir beqja arben ahmetaj spak dyfytyrësia

Lini një Përgjigje