
Komisioni i Shëndetësisë ka thirrur në një dëgjesë publike grupet e interesit, ku po diskutohet për projektligjin për kanabisin mjekësor.
Deputeti i PD, Saimir Korreshi ironizoi projektligjin duke thënë se nuk duhej të ishte hartuar pa marrë mendimin e çunave të Londrës, të cilët të jepnin eksperiencën e tyre për kultivimin e kanabisit.
“E mira është ti marrim se bëjnë rolin e agronomit, pse i lëmë në emigrim vijnë këtu. Lazarati është një shkallë më lart, ka nisur tek ABZHR tani. Grupet e interesit, çunat që rrinë në Londër që punojnë shpi bari gjynah të vijnë me eksperiencë, farën e kanë, të zgjedhin llojin e farës, të japin mendim për mënyrën si jepet rendimenti. A po flasim për hashashin tani”, tha Korreshi.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ju përgjigj se po konfuzon publikun, pasi është thjesht një kuadër ligjor që ka të bëjë me kultivimin e kontrolluar të kanabisit nga shteti për qëllime industriale edhe mjekësore.
“Po flasim për krijimin e një kuadri ligjor që ka të bëjë me kultivimin e kontrolluar nga shteti për qëllime industriale edhe mjekësore. Çfarë është në shkelje të këtij kuadri ligjor mbetet e paligjshme dhe nuk po legalizohet paligjshmëria, por ngrihet një kuadër i ri ligjor për hapjen e një sektori në ekonomi, që i përket kontrollit të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. I ka të përcaktuara të gjitha dispozita. Çdo gjë tjetër që thuhet për të konfuzionuar publikun është e pavërtetë”, tha Manastriliu.
Lini një Përgjigje