
Asnjë ambasadë apo organizatë ndërkombëtare nuk ka reaguar dhe të përshëndesë paktin e reformës zgjedhore.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ndryshuan dje Kodin Zgjedhor, duke futur votën e diasporës dhe futën një skemë me dy lista, ku 2/3 janë të hapura dhe 1/3 të mbyllura.
Për shumëkënd ky pakt i gatur nën rrogoz, është në vazhdën e atij të 2008 mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, për të mbajtur të mbyllura listat. Me skemën e re, shumë pak deputetë do zgjidhen drejtpërdrejt nga populli, pasi shumicën e zgjedhin po kryetarët e partive.
Prej 3 ditësh PD dhe PS duan të na mbushin mendjen se ishte një reformë e nevojshme. Sot Berisha dhe Bardhi na folën se zbatuan vendimet e Kushtetueses, teksa nuk e cilësojnë si pazar. PS nga ana tjetër po ashtu e shet si një lëvizje ku i plotësoi kërkesat opozitës.
Por ka një element që ka kaluar në heshtje totale. Asnjë ambasadë apo organizatë ndërkombëtare nuk ka reaguar dhe të përshëndesë paktin e reformës zgjedhore. Të dyja palët na mburren se po sjellin votën e diasporës dhe po hapin listat, atëherë pse ambasada e SHBA, e BE, e Britanisë së Madhe, apo OSBE nuk kanë reaguar? OSBE/ODIHR reagoi vetëm për amendamentin për të rritur pjesëmarrjen e grave, por asnjë fjalë nuk u tha për paktin. Pse kjo heshtje nga vendet partnere?
Përgjigjja është shumë e qartë: ndërkombëtarë po i thanë Ramës dhe Berishës se nuk mund tu hedhin dot hi syve. Si SHBA, ashtu dhe BE, OSBE dhe ambasadat e vendeve të tjera partnere, kanë mbi një vit që kërkojnë reformë zgjedhore, reformë që duhet të konsistojë me zbatimin e rekomandimeve të ODIHR dhe jo me paçavure që bëhen për interesa politike. Pra ajo që arritën palët, për ndërkombëtarë nuk është reformë, por pazari i radhës.
Po ashtu një tjetër arsye e heshtjes së tyre është se ata po e kuptojnë se Rama dhe Berisha janë bashkë në lojë. Reforma Zgjedhore është pazari i radhës, teksa u arritën shumë marrëveshje më herët, duke kulmuar te marrja e vulës nga Berisha. SHBA e ka bërë të qartë se askush nuk duhet të bashkëpunojë me “non gratën”, por Rama po i sfidon.
Të gjithë këto pazare shihen si kërcënim për drejtësinë e re. Rama po avancon me komisionin “Xhafaj” dhe shtatori mund të sjellë surpriza, ku nuk është çudi që të bëhen bashkë me Berishën në kurriz të drejtësisë së re. Heshtja ndërkombëtare tregon shumë dhe dyshja Rama-Berisha duhet ta dinë se janë në monitorim. /Pamfleti
Lini një Përgjigje