
Hetimi nuk ka në shënjestër një ministre, por vetë qeverisjen dhe projektet e Edi Ramës...
Nuk duket aspak rastësi, apo një qëndrim autonom, një seri shkrimesh dhe deklaratash nga qarqe politike e mediatike pranë Edi Ramës, të cilët po shtyjnë drejt një dorëheqjeje të Belinda Ballukut.
As nuk duket se përbëjnë thjesht një shfryrje pakënaqësish apo inatesh nga klanet brenda Partisë Socialiste, të cilat kanë kohë që po përleshen keqazi.
E gjithë kjo seri jo vetëm që duket e koordinuar, por është pjesë e një plani apo strategjie PR nga ana e “kuzhinës” së propagandës së Edi Ramës, duke komunikuar kështu, përmes një gjuhe të koduar, me pjesën tjetër të faktorëve që Edi Rama ka përballë.
Në realitet, ekziston gjithashtu edhe një manovër e brendshme nga klanet brenda PS-së për ta bombarduar sa më shumë Ballukun, e cila është faktori politik më i fuqishëm në parti pas Edi Ramës.
Por ajo që është më e rëndësishme për Edi Ramën është largimi nga vetja i telasheve që shkaktojnë hetimet e prokurorisë speciale.
Është krejt e qartë se, si hetimet ndaj numrit dy të qeverisë, ashtu edhe ato ndaj kupolës së AKSHI-t së bashku me të tjerët përreth, nuk kanë të bëjnë me individë.
Dhe Edi Rama nuk mund t’i trajtojë më çështjet si “dardha të ngrëna pas krahëve”, ngaqë jemi, siç kemi qenë edhe në goditjet e tjera, përballë një goditjeje ndaj projekteve dhe akteve që ka ideuar dhe ndërmarrë Edi Rama gjatë qeverisjes së tij.
Një akt dorëheqjeje i Ballukut nuk zgjidh asnjë problem, por përkundrazi do ta komplikonte situatën edhe më shumë. Pasi, së pari, siç ndodh në këto raste, do të ndizet zjarri politik me aksiomën: “Nuk mjafton!”, dhe së dyti, për çështjen nën hetim, nuk sjell asnjë dobi shtesë.
Ajo që në fakt pritet nga Belinda Balluku, dhe që sipas të gjitha gjasave do ta bëjë në Kuvend, kur të zhvillohet seanca në Komisionin e Mandateve, është një qëndrim i saj publik.
Jo thjesht për anekset konkrete dhe teknike të dosjes, por një qëndrim politik në lidhje me atë se çfarë, në realitet, është kjo situatë.
Sipas gjasave, dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, Balluku do ta trajtojë këtë çështje si një akt publik dhe hetimor ndaj qeverisë dhe, përkatësisht e konkretisht, ndaj Kryeministrit Edi Rama.
Ajo, pra zëvendëskryeministrja, është pjesë e shënjestrës së madhe në tabelë për të goditur Ramën. Dhe me të drejtë, ai që duhet të flasë, të sqarohet apo të mbajë një qëndrim publik e politik për këtë çështje është Edi Rama.
Sepse këtu nuk po hetohet as një dikaster, as një ministër apo disa zyrtarë, por thuajse të gjitha punët publike të rrugëve që janë ndërtuar nën qeverisjen e Edi Ramës.
Kaq e thjeshtë është.
Nga ana tjetër, mazhoranca, përkatësisht Edi Rama, nuk mund ta trajtojë çështjen e kërkesës për leje arresti vetëm nga ana proceduriale e dispozitivit të SPAK-ut, por parimisht, në lidhje me të gjitha hetimet që po i bëhen 13 viteve qeverisje.
Kapica e kokave që Edi Rama ka prerë për të mbajtur pushtetin e tij i ka ardhur deri në fyt dhe nuk mund të pranohen nga “zotat” si një shpërblim për t’i dhënë erë të lehtë në lundrimin e tij të katërt.
Në fund të fundit, kjo mbi të gjitha është një betejë e Edi Ramës./Pamfleti
Lini një Përgjigje