TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Janar 2025, 20:20

Pse po trajtohen votat e emigrantëve si “thesi” rezervë nga Rama e Berisha?

Shkruar nga Pamfleti

Pse po trajtohen votat e emigrantëve si “thesi” rezervë

Partitë e reja e kanë më të thjeshtë që votat t’i marrin në Diasporë apo mes emigrantëve, sesa në Shqipëri, ku “dinosaurët” politikë janë të shtrirë dhe i kanë të qarta skemat se si mund të mblidhen votat në terren, pa pasur nevojën e fjalimeve të bukura apo premtimeve për ndryshim.

Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit ndoshta togfjalëshi më i përdorur nga politika shqiptare është “vota e emigrantëve”. Ata po shihen nga njëra anë si alternativa që mund të përcaktojë ndryshimin në Shqipëri dhe nga ana tjetër si mundësia që ka Edi Rama për të mbledhur sa më shumë vota në atë që po e trumpeton si fitoren plebishitare zgjedhore.

Dy partitë që kanë dominuar skenën politike shqiptare prej 34 vitesh, PD dhe PS, me kryetarët respektivë Sali Berishën dhe Edi Ramën, po i trajtojnë emigrantët si kolateralin e tyre zgjedhor. Secili po luan lojën duke tentuar që atë që njihet si Diaspora ta kthejnë në një pronë, ku secili të ketë përqindjen më të lartë të kontrollit. Të dy palët po luajnë pisët, po shfrytëzojnë çdo mundësi që ua jep podiumi politik si “1” dhe “2”, edhe pse qoftë Rama ashtu edhe Berisha deri në momentet e fundit të vendimmarrjes nuk kanë pasur asnjë interes për të lejuar votimin e emigrantëve.

Si Berisha ashtu edhe Rama u detyruan të pranojnë një të drejtë kushtetuese të atyre që prej 3 dekadash njiheshin për reminitancat vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit u vu në lëvizje nga shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, pasi çështja e të drejtës së votës së emigrantëve ishte kthyer në një top që herë hidhej nga PD në drejtim të PS-së dhe kjo e fundit ua pasonte sërish demokratëve.

Sot si Rama ashtu edhe Berisha janë hedhur në sulm, jo thjesht për votat, por edhe për të rekrutuar nëse do të munden, sa më shumë nga ata emrat e spikatur në Diasporë, për ti futur në listat e tyre të kandidatëve për deputet. Një nga këto raste u denoncua nga Florian Haçka, një prej protagonistëve në betejën ligjore për t’i dhënë të drejtën shqiptarëve që jetojnë jashtë që të votojnë në zgjedhjet shqiptare, i cili ishte ftuar si nga socialistët e Ramës ashtu edhe nga demokratët e Berishës, që të përfshihej në listat e kandidatëve për deputet nën siglën e njërës prej dy partive.

Në këtë mënyrë strategjia është e qartë, po tentohet që të përçahen sa të munden faktorët që mund të kenë ndikim në Diasporë. Frika është se vota e Diasporës mund të dalë jashtë kontrollit të dy partive kryesore dhe ajo realisht mund të formësojë polin e tretë politik, atë të partive të reja.

Këto të fundit e kanë më të thjeshtë që votat t’i marrin në Diasporë apo mes emigrantëve, sesa në Shqipëri, ku “dinosaurët” politikë janë të shtrirë dhe i kanë të qarta skemat se si mund të mblidhen votat në terren, pa pasur nevojën e fjalimeve të bukura apo premtimeve për ndryshim.

Por sa do të mundet që vota e emigrantëve apo e Diasporës të thithet nga partitë që po tentojnë të jenë jashtë vathës së Ramës apo Berishës?

Në teori mundësitë janë të mëdha, ndërsa në praktikë do të bëhet çdo tentativë që kjo votë të kontrollohet në qelizë. Jo thjesht në procesin e regjistrimit, por edhe më pas në numërim. Brenda janarit Kuvendi mund të mblidhet dhe të miratojë që votat e emigrantëve të numërohen nga komisionerë politikë, ndonëse KQZ kishte propozuar që të kishte grupe treshe apolitike, ndërsa partitë të kishin vëzhguesit e tyre.

Propozimi i KQZ u kundërshtua nga PD, ndërsa socialistët heshtën, dhe së fundmi pas negociatave sekrete, duket se vetë Celibashi është tërhequr nga propozimi që votat të numëroheshin nga numërues që nuk do të propozoheshin, të paktën zyrtarisht, nga partitë politike.

Qoftë Rama ashtu edhe Berisha nuk mund të pranonin që këto vota të mos administroheshin prej tyre dhe afërmendsh që negociatat do të prodhonin vënien nën kontroll politik të procesit. Kjo për faktin se vota e emigrantëve nga momenti kur nisi diskutimi nuk është parë nga Rama e Berisha si një e drejtë e tyre kushtetuese, por si një thes rezervë votash, që do ti shtohej thesit tradicional të votave që ata zotërojnë.  /Pamfleti/

Lini një Përgjigje