
Ilirjan Celibashi ka flakur në kosh një vendim të marrë më herët nga KQZ që i ndalonte Ambasadorit të Shqipërisë në SHBA që të merrte pjesë në ceremoninë e betimit të Donald Trump si President i 47-të të Amerikës.
Një klauzolë burokratike u shfrytëzua nga institucioni që menaxhon zgjedhjet në Shqipëri për të penguar pjesëmarrjen e Bushatit në ceremoninë e betimit të Trump.
Ministria e Jashtme kishte raportuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve aktivitetin e ambasadorit, sipas detyrimit që kanë institucionet për të spostuar çdo aktivitet në periudhë parazgjedhore 11 janar-11 maj.
Por KQZ-ja e ka ndaluar aktivitetin për shkak se sistemi online i vënë në funksion në kuadrin e zgjedhjeve ka “ngritur flamurin e kuq” për ambasadorin shqiptar.
Sipas detyrimit që kanë institucionet shtetërore, raportimi duhet bërë 5 ditë përpara aktivitetit dhe jo 3 ditë siç ka ndodhur në rastin e ambasadorit.
Vendimi i KQZ ka qëndruar në fuqi vetëm disa orë, pasi Komisioneri Celibashi e ka lejuar pjesëmarrjen e Ambasadorit.
“Ndërfaqja e raportimeve të veprimtarive publike e ndalon automatikisht një veprimtari e cila raportohet në më pak se 5 ditë përpara datës së zhvillimit të saj.
Kështu ka ndodhur me rastin e raportimit të disa veprimtarive të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Me vendim të Komisionerit, konsideruar rrethanën justifikuese të mos respektimit të afatit 5 ditor, veprimtaria është lejuar”, thuhet në njoftimin e KQZ.
Dhe pas këtij njoftimi të ri, Bushati si ambasador i Shqipërisë në SHBA mund t’i bashkohet lirisht mijëra të tjerëve që do të ndjekin nga afër ceremoninë.
Lini një Përgjigje