
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka dërguar kërkesë zyrtare kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi për formulën e re të zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Në letrën e firmosur nga Gazment Bardhi, opozita i referohet Progres Raportit të Komisionit Europian, i cili evidenton politizimin serioz të emërimeve në institucionet e pavarura. Bardhi i ka njoftuar edhe grupet parlamentare dhe Trupin Diplomatik për propozimin e opozitës.
PD kërkon që Kuvendi të ndjekë një proces të hapur, me bashkëpunim real mes shumicës dhe pakicës. Bardhi ka theksuar se çdo emërim në organet e pavarura kushtetuese duhet të bazohet në meritokraci dhe të shmangë praktikat e vendosjes së figurave që i shërbejnë interesave politike të radhës. Opozita kërkon që rregullat e procesit të publikohen dhe t’u bëhen të ditura kandidatëve dhe qytetarëve.
Demokratët kanë paraqitur një formulë të detajuar bashkëpunimi që ndan përgjegjësitë mes shumicës dhe pakicës parlamentare. Për rastet ku kërkohet shumicë e cilësuar, si zgjedhja e Avokatit të Popullit, pakica propozon deri në 6 kandidatë, shumica përzgjedh 3 prej tyre dhe opozita zgjedh 1 për votim. Kuvendi e miraton kandidatin me konsensus. Për rastet ku nevojitet shumicë e thjeshtë, procedura është e njëjtë, por me role të ndërruara, ku shumica nis propozimet dhe pakica filtron listën.
Në fund të kërkesës, PD deklaron se opozita nuk merr pjesë në asnjë proces tjetër pa rregulla të qarta dhe garanci për pavarësinë e institucioneve. Bardhi ka lënë të kuptohet se grupi parlamentar i PD nuk pranon më vendime të njëanshme të shumicës dhe se besimi i qytetarëve tek institucionet e pavarura varet nga mënyra se si Kuvendi menaxhon këto emërime.
Konkretisht, grupi parlamentar i PD ka propozuar këtë formulë të bashkëveprimit midis grupeve parlamentare:
Për emërimin/zgjedhjen e organeve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, për të cilën kërkohet shumicë e cilësuar (prej 3/5 të anëtarëve të Kuvendit – rasti i Avokatit të Popullit), procesi të jetë i ndërtuar sipas kësaj formule:
a) Grupi Parlamentar që përfaqëson pakicën parlamentare propozon deri në 6 (gjashtë) kandidatë të përzgjedhur prej tij, nga lista e kandidatëve që sipas Komisioneve Parlamentare përmbushin kërkesat e kërkuara nga Kushtetuta/Ligji.
b) Grupi Parlamentar që përfaqëson shumicën parlamentare të përzgjedhë nga lista e propozuar sipas shkronjës “a” më sipër 3 (tre) kandidatë të pranueshëm sipas tij për votim.
c) Grupi Parlamentar që përfaqëson pakicën parlamentare, nga lista e përzgjedhur sipas shkronjës “b” më sipër, propozon për emërim/zgjedhje 1 (një) kandidat.
d) Seanca plenare voton me konsensus mes të gjitha grupeve parlamentare kandidatin e përzgjedhur sipas shkronjës “c” më sipër.
Për emërimin/zgjedhjen e organeve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, për të cilën kërkohet shumicë e anëtarëve të Kuvendit, procesi të jetë i ndërtuar sipas kësaj formule:
a) Grupi Parlamentar që përfaqëson shumicën parlamentare propozon deri në 6 (gjashtë) kandidatë të përzgjedhur prej tij, nga lista e kandidatëve që sipas Komisioneve Parlamentare përmbushin kërkesat e kërkuara nga Kushtetuta/Ligji.
b) Grupi Parlamentar që përfaqëson pakicën parlamentare të përzgjedhë nga lista e propozuar sipas shkronjës “a” më sipër 3 (tre) kandidatë të pranueshëm sipas tij për votim.
c) Grupi Parlamentar që përfaqëson shumicën parlamentare, nga lista e përzgjedhur sipas shkronjës “b” më sipër, propozon për emërim/zgjedhje 1 (një) kandidat.
d) Seanca plenare voton me konsensus mes të gjitha grupeve parlamentare kandidatin e përzgjedhur sipas shkronjës “c” më sipër.
Lini një Përgjigje