Deri tani, me përjashtim të dy anëtarëve të Kuvendit dhe disa mediave që direkt ose indirekt kanë interesa me ndonjë nga kandidatët, vetë këta të fundit nuk kanë reaguar.
Anëtarë të parlamentit shqiptar, nga e majta dhe e djathta e tij, janë investuar në akte të paprecedent të ndërhyrjes në kompetencat e një organi të pavarur me Kushtetutë, akte ligjore e nënligjore, siç është RTSH dhe Këshilli Drejtues i tij.
Është një ndërhyrje flagrante, ku kërkohet imponimi i vullnetit politik në zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH nga Këshilli Drejtues i tij, i përbërë nga 11 anëtarë të zgjedhur me votim nga Kuvendi i Shqipërisë.
Detyra e këtij të fundit, ka përfunduar në zgjedhjen e anëtarëve sipas procedurave ligjore, më pas, ligji dhe Statuti i RTSH- së përcakton qartë kompetencat dhe afatet e Këshillit Drejtues për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm.
Statuti i RTSH- së është ndjekur gërmë për gërmë në këtë procedurë. Në përfundim të afatit 10 ditor për të depozituar dokumentacionin e konkurrimit personat e interesuar, Këshilli Drejtues është mbledhur për të administruar direkt procesin.
Me vendimin nr. 3 është ngritur Komisioni Ad- Hoc i Këshillit Drejtues për përzgjedhjen e kandidatëve që kanë plotësuar dokumentacionin për konkurrim. Në mungesë të dokumentacionit të kërkuar për konkurrim, Këshilli Drejtues me vendimin nr. 4 ka skualifikuar 5 kandidatë të mundshëm.
Pas verifikimit të dokumentacionit, Këshilli Drejtues ka shqyrtuar plotësimin e kritereve, bazuar të dokumentacionin e paraqitur. Me gjasë, për 5 emrat e mbetur, nuk ka patur konsensus për kalimin e tyre në fazën e dëgjesës dhe Këshilli Drejtues, ka marrë vendim të votojë se cilët plotësojnë kriteret. Përmes votimit, rezultati i të cilit është publik dhe deri më sot, nuk është kontestuar nga askush, Këshilli Drejtues ka vendosur se vetëm dy kandidatë plotësojnë kriteret dhe duhet të kalojnë në seancë dëgjimore.
E vetmja çështje, e cila mund të "hajë diskutim", është ajo e votës online e njërit nga anëtarët e Këshillit Drejtues. Ajo mund të kontestohet meqenëse bëhej fjalë për votim emrash, personash. Por, edhe nëse konsiderohet e vlefshme, e pavlefshme, në favor apo në disfavor të 5 kandidatëve që u votuan për plotësimin e kritereve, nuk ndryshon rezultatin: sërish në fazën e dëgjesave kalojnë vetëm 2 kandidatë, ata që miratuar nga Këshilli Drejtues i RTSH- së në mbledhjen e së hënës.
Deri tani, me përjashtim të dy anëtarëve të Kuvendit dhe disa mediave që direkt ose indirekt kanë interesa me ndonjë nga kandidatët, vetë këta të fundit nuk kanë reaguar. E vetmja rrugë, ligjore dhe morale, është ajo e ankimimit në Gjykatën Administrative të akteve të Këshillit Drejtues, ku me gjasë, asgjë nuk do ndryshojë se është zbatuar gërmë për gërmë ligji dhe Statuti i RTSH.
Lini një Përgjigje