Deputetja demokrate Ina Zhupa ka denoncuar projektligjin e “Paketës së Maleve” që qeveria e kaloi fundvitin e shkuar, duke e cilësuar atë si një “ligjvënie elektorale” me qëllim garantimin e votave për PS në zgjedhjet e 11 Majit.
Zhupa e bëri denoncimin gjatë Konferencës së Kryetareve, ku pati në diskutim kalendarin për rendin e ditës së punimeve në Kuvend.
“Ne jemi mbledhur me 20 Janar dhe Paketa e Maleve nuk ka rezultuar në projekt-kalendar. Tani na del që e paskan depozituar në datën 10 Janar. E keni futur për në seancë plenare, sepse po e përdorni Kuvendin si aset elektoral dhe po bëni ligjvënie elektorale, me qëllim shpërndarjen e favoreve dhe parasë publike, për të marrë votën për Partinë Socialiste”, tha ligjvënsja e PD-së.
Më tej ajo vuri në dukje se Kodi Zgjedhor e ndalon dhënien e granteve në fushatë elektorale dhe para zgjedhjeve, duke përdorur termin e kalimit të ligjeve nga PS në ‘korsinë e shpejtë’.
“Ju parashikoni të jepni grante për të marrë vota. Kodi Zgjedhor e ndalon këtë shpërndarje grantesh në kohë zgjedhore, por ju nuk pyesni. Ndërkohë ligjet e ministrave tuaj i kaloni me korsinë e shpejtë, ndërsa nismat e deputetëve kanë me vite që nuk shqyrtohen. Hiqeni urgjentisht nga kalendari, sepse jeni në shkelje të Kodit Zgjedhor”, tha ligjvënësja demokrate në fjalën e saj gjatë Konferencës së Kryetarëve.
Lini një Përgjigje